Gjykata Administrative ka vendosur rikthimin në detyrë të Sekretarit të Përgjithshëm të komanduar të Bashkisë së Tiranës, Alban Dokushi, i cili ishte shkarkuar nga kryetarja e komanduar e bashkisë, Anuela Ristani, rreth një muaj pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj.

Shkarkimi i Dokushit kishte ndodhur në një periudhë të tensionuar administrative brenda Bashkisë së Tiranës. Vetëm dy ditë përpara këtij vendimi, më 18 mars, Erion Veliaj, nga ambientet e paraburgimit, i kishte deleguar detyrën e kryebashkiakut Sara Goxhajt, duke ia hequr këtë kompetencë Anuela Ristanit, e cila e kishte marrë postin disa ditë pas arrestimit të tij.

Reklame

Megjithatë, ky vendim u zhbë më pas dhe kompetencat iu rideleguan sërish Anuela Ristanit si kryetare e komanduar e bashkisë. Vetë Veliaj reagoi nga qelia, duke e cilësuar situatën si një keqkuptim të krijuar për shkak të mungesës së informacionit dhe kushteve të izolimit.

Pas rikthimit në detyrë, Ristani firmosi vendimin për shkarkimin e Sekretarit të Përgjithshëm të komanduar Alban Dokushi, si dhe të nënkryetares Sara Goxhaj, vendime që tashmë janë objekt i zhvillimeve dhe kontestimeve ligjore.

Vendimi i 18 marsit për t’i hequr kompetencat Anuela Ristanit dhe për t’ia deleguar ato Sara Goxhajt u interpretua gjerësisht në media si një përplasje mes kryebashkiakut Erion Veliaj dhe kryeministrit Edi Rama. Këto spekulime u mohuan nga Anuela Ristani, e cila deklaroi se në Bashkinë e Tiranës nuk ka asnjë krizë funksionale dhe se institucionet vijojnë të ushtrojnë normalisht aktivitetin e tyre.

Vendimi i Gjykatës Administrative për rikthimin e Alban Dokushit pritet të sjellë zhvillime të reja në administrimin e Bashkisë së Tiranës, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë ankime apo vendime të tjera gjyqësore në vijim.

Reklame