Është shtyrë seanca e kësaj të enjteje në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku po zhvillohet gjykimi në themel ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe deputetes Monika Kryemadhi.
Gjykata vendosi që procesi të vijojë më 29 korrik, në orën 10:00, pas diskutimeve të zhvilluara gjatë seancës lidhur me pretendimet e mbrojtjes.
Monika Kryemadhi ngriti disa pretendime për shkelje procedurale, duke deklaruar se nuk i janë vënë në dispozicion të gjitha provat mbi të cilat është ndërtuar akuza. Ajo kërkoi procesverbalet e ekspertimit të telefonit, duke argumentuar se mungesa e tyre cenon të drejtën për një mbrojtje të plotë dhe efektive.
Sipas Kryemadhit, një pjesë e skedarëve të dorëzuar nuk hapen, ndërsa kërkoi të sqarohet me çfarë vendimi është autorizuar ekspertimi i telefonit, kush e ka kryer atë dhe në çfarë date. Ajo theksoi se një pjesë e rëndësishme e akuzës mbështetet në komunikimet e nxjerra nga ky aparat.
Nga ana tjetër, prokurori i SPAK, Sotir Kllapi, deklaroi se të gjitha aktet e ekspertimit dhe procesverbalet e këqyrjes së telefonave ndodhen në fashikujt e çështjes dhe janë depozituar në gjykatë sipas procedurave ligjore.
Ai sqaroi gjithashtu se telefoni është gjetur në banesën e Fatime Kryemadhit dhe se organi i akuzës nuk mund të konfirmojë nëse ai ka qenë në përdorim të Monika Kryemadhit.
Edhe mbrojtja e Kryemadhit kundërshtoi procedurat e ndjekura nga SPAK, duke pretenduar se nuk është njoftuar për kryerjen e ekspertimit dhe se disa prova nuk janë bërë ende të disponueshme.
Në deklarimet e saj para gjykatës, Kryemadhi e cilësoi akuzën si “seksiste”, duke kundërshtuar mënyrën se si është paraqitur roli i saj në dosje. Ajo mohoi gjithashtu se ka pasur komunikime me Ilir Metën lidhur me çështjen e Adrian Shatkut dhe ngriti pretendime për hetim të njëanshëm, duke deklaruar se disa persona që, sipas saj, kanë dijeni për rrethanat e çështjes nuk janë marrë në pyetje nga organi i akuzës.
Procesi gjyqësor do të vijojë në seancën e ardhshme, më 29 korrik, kur pritet që gjykata të shqyrtojë më tej pretendimet e palëve dhe ecurinë e provave në dosje.
GJKKO shtyn seancën për Fatime Kryemadhin, Ema Çokun dhe Pirro Xhixhon – ja arsyeja
Gjyqi me Metën/ Kryemadhi në GJKKO: sot eshte dita e se vertetes. Do zbërthej të gjitha manipulimet














