TIRANË – Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për biznesmenin Ergys Agasi, i arrestuar më 26 gusht në zonën e Plepave në Durrës.
Agasi u paraqit këtë të premte në GJKKO, ku u zhvillua seanca për vlerësimin e masës së sigurisë të caktuar më herët në mungesë.
SPAK kishte kërkuar që masa “arrest në burg” të mbetej në fuqi, duke argumentuar se ekziston rreziku që Agasi t’i shmanget drejtësisë, ndërsa ai kishte qëndruar për muaj të tërë në arrati.
Në seancë, mbrojtja kërkoi një masë më të lehtë sigurie dhe kundërshtoi akuzat e ngritura ndaj klientit të saj. Avokati Maks Haxhia kishte kërkuar gjithashtu kohë për t’u njohur me aktet e dosjes hetimore, çka solli ndërprerjen e seancës.
Ergys Agasi është nën hetim në kuadër të dosjes së AKSHI-t, ku SPAK e dyshon për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal dhe për vepra penale që lidhen me manipulimin e tenderëve publikë, konkurrencën e paligjshme përmes dhunës, heqjen e paligjshme të lirisë dhe pastrimin e parave.
Sipas akuzës, Agasi dyshohet se ka pasur rol në një skemë për manipulimin e procedurave të prokurimit publik në AKSHI, ndërsa hetimet kanë përfshirë edhe persona të tjerë të dyshuar.
Agasi u arrestua pas rreth tetë muajsh në kërkim. Ai u lokalizua në Durrës, ndërsa operacioni i arrestimit u zhvillua pas një periudhe survejimi nga strukturat e hetimit.
Masa “arrest në burg” mbetet kështu në fuqi, ndërsa hetimet e SPAK për dosjen e AKSHI-t vijojnë.
Lexo edhe
Ergys Agasi u gjurmua për 3 javë, si u finalizua operacioni që çoi në pranga të shumëkërkuarin
Masa e sigurisë për Ergys Agasin/ SPAK kërkon “arrest në burg”, ja çfarë ndodhi në GJKKO















