Deputeti i Partisë Demokratike, Erald Kapri, ka denoncuar një rast që, sipas tij, ka ndodhur në fshatin Krekëz të Kuçovës, ku një familje është përballur me ndërhyrjen e Policisë së Shtetit pas punimeve në banesën e saj.

Kapri pretendon se familja Toska është përballur me dhunë nga efektivët e policisë dhe se kryefamiljari, Dashnor Toska, është marrë zvarrë në prani të fëmijëve.

Reklame

Sipas deputetit, shkak për ndërhyrjen e policisë ka qenë suvatimi i mureve të banesës pa leje.

“Po tejkalohet çdo limit, në sy të fëmijëve!”, shkruan Kapri në denoncimin e tij.

Ai pretendon gjithashtu se familja jetonte në kushte të vështira dhe se për shkak të amortizimit të banesës anëtarët e saj flinin jashtë.

Sipas versionit të bërë publik nga deputeti, ndërhyrja policore ka përfunduar me shoqërimin/arrestimin e kryefamiljarit.

Kapri e ka cilësuar situatën si të papranueshme, duke akuzuar Policinë e Shtetit për sjellje të dhunshme ndaj familjes.

“Aty ku shteti duhet të shtrijë dorën për të ndihmuar një familje në nevojë, dërgon policët që sillen si banditë. Në sy të fëmijëve”, shkruan deputeti.

Deri në publikimin e këtij lajmi, nuk ka një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit për versionin e ngjarjes të bërë publik nga deputeti. Për këtë arsye, pretendimet për dhunën policore dhe rrethanat e shoqërimit të kryefamiljarit mbeten për t’u verifikuar nga autoritetet përkatëse.

Lexo edhe:

Apeli lë në fuqi dënimin e ish-kryebashkiakut të Pogradecit, Eduart Kapri

Tensione para Komisariatit nr.1, protestuesit dëbojnë Balliun, Kaprin dhe Muçin

Reklame