Portali e-Albania do të jetë jashtë funksionit për tre ditë, nga data 15 deri më 18 maj, për shkak të punimeve për kalimin në një infrastrukturë të re.
Ndërprerja e paralajmëruar ka ngritur shqetësime për qytetarët dhe bizneset, pasi një pjesë e madhe e shërbimeve publike tashmë ofrohen vetëm online, ndërsa sportelet fizike për shumë procedura janë hequr.
Mosfunksionimi i sistemit rrezikon të krijojë vonesa për individët dhe subjektet që kanë nevojë të aksesojnë dokumente apo të kryejnë aplikime gjatë kësaj periudhe.
I pyetur për situatën, Petrit Malaj deklaroi se çështja i takon institucionit përgjegjës, por garantoi se qeveria do të ndërhyjë nëse qytetarët penalizohen për shkak të bllokimit të sistemit.
“Në qoftë se këto vonesa do të sjellin penalitet për qytetarët, unë besoj që qeveria do të marrë të gjitha masat e nevojshme që të tejkalojmë këto lloj penalitetesh që mund të lindin si rezultat i mosfunksionimit të sistemit e-Albania”, u shpreh Malaj.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të plota mbi shërbimet që mund të preken më shumë gjatë periudhës së ndërprerjes së platformës.














