Situata e krijuar nga përmbytjet në territorin e qarkut Durrës po shkon drejt përmirësimit, pas ditësh të vështira për qindra familje. Niveli i ujit në lumenjtë kryesorë ka nisur rënien, ndërsa grupet e punës në terren vijojnë me evidentimin e dëmeve dhe plotësimin e akte-konstatimeve në banesat e prekura.
Aktualisht, 340 banorë vijojnë të jenë të strehuar në ambientet e Kavalishencës së Ministrisë së Mbrojtjes, të Ministrisë së Brendshme, si dhe në struktura hoteliere. Ndërkohë, rreth 200 persona kanë mundur të rikthehen në banesat e tyre, pasi uji është tërhequr dhe kushtet janë përmirësuar.
Sa i përket situatës hidrike, lumi Erzen ka vijuar rënien e nivelit të ujit dhe mbetet nën monitorim të vazhdueshëm nga autoritetet. Lumi Ishëm, ndërkohë, paraqitet në kuota normale, duke ulur ndjeshëm rrezikun për përmbytje të reja.
Në Bashkinë Krujë, grupet e konstatimit kanë evidentuar 18 banesa të dëmtuara në zonat Dukagjin, Borizanë, Sukë, Vendas dhe Derven. Në disa raste janë konstatuar kryesisht dëme në bazën ushqimore për blegtorinë. Një grup tjetër ka inspektuar 30 banesa në fshatin Miliskaje, ku 7 prej tyre kanë pësuar dëmtime nga uji.
Sipas të dhënave zyrtare, rreth 250 hektarë tokë bujqësore në qark janë mbuluar nga uji, duke shkaktuar humbje të konsiderueshme për fermerët. Në Njësinë Administrative Cudhi, vijon puna për pastrimin e rrugës Nojë–Qafështamë me fadromë, si dhe hedhja e kripës për të garantuar qarkullimin. Autoritetet bëjnë me dije se niveli i ujit është në rënie të vazhdueshme, ndërsa lumenjtë Gjolë dhe Zezë kanë arritur në kuota normale.
Edhe në Bashkinë Shijak situata po stabilizohet. Janë plotësuar 43 akte-konstatime për banesa të përmbytura, ndërsa sipërfaqja e tokës bujqësore të mbuluar nga uji arrin rreth 600 hektarë. Strukturat e bashkisë vijojnë ndjekjen e situatës në zonat më problematike, kryesisht në lagjen Erzen dhe Njësinë Administrative Xhafzotaj. Edhe këtu, lumi Erzen ka shënuar rënie të vazhdueshme dhe po mbahet nën vëzhgim.
Ndërsa uji tërhiqet gradualisht, qarku Durrës nis një fazë të re: vlerësimin e dëmeve dhe përpjekjet për rikthimin e jetës në normalitet. Banorët shpresojnë që përmirësimi i situatës të jetë i qëndrueshëm dhe që mbështetja institucionale të vijojë deri në rimëkëmbjen e plotë të zonave të prekura.















