Mes zhvillimeve të brendshme dhe pasigurive në tregjet ndërkombëtare, inflacioni në vend ka marrë sërish një shtysë në rritje. Sipas të dhënave të INSTAT, ai arriti në nivelin 2.6% gjatë muajit mars.
Ndikimin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë qiratë dhe kostot e transportit, përkatësisht me 0.95% dhe 0.48% në indeksin e çmimeve të konsumit. Më tej renditen ushqimet me 0.44%, mobiliet me 0.18%, si dhe restorantet dhe shërbimet e akomodimit.
Megjithatë, janë ushqimet ato që po rëndojnë më shumë buxhetin e familjeve shqiptare. Si produkte të përditshme dhe të domosdoshme, ato zënë mbi 40% të shpenzimeve mujore, duke i bërë qytetarët më të ndjeshëm ndaj çdo rritjeje çmimi.
Në veçanti, çmimet e frutave, perimeve dhe zarzavateve janë rritur ndjeshëm. Në treg, një kilogram domate po shitet nga 350 deri në 450 lekë, duke u konsideruar i papërballueshëm për shumë familje.
Ekspertët për mbrojtjen e konsumatorëve i cilësojnë këto rritje si abuzive. Granit Sokolaj nga Linja Kombëtare për Mbrojtjen e Konsumatorëve thekson se domatet e importuara nga Greqia dhe Turqia futen në vend me rreth 50 lekë, ndërsa në treg shiten deri në 400–500 lekë, duke e cilësuar këtë një abuzim të hapur ndaj konsumatorëve.
Sipas ekspertëve, çmimet mund të ndikohen nga faktorë si konfliktet ndërkombëtare apo përmbytjet, por jo të justifikojnë rritje kaq të larta.
Ata paralajmërojnë se inflacioni mund të vijojë trendin rritës edhe në muajt në vijim. Nëse ai kalon objektivin 3% të vendosur nga Banka e Shqipërisë, pritet të ketë rishikim të politikës monetare.














