Rreth 100 efektivë policie kanë ndërhyrë mëngjesin e kësaj të diele në zonën përpara Kryeministrisë, ku prej një jave protestuesit kishin kaluar netët në shenjë revolte qytetare.
Qytetarët, të cilët prej ditësh janë vendosur përpara godinës së Kryeministrisë, kërkojnë largimin e qeverisë dhe dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit Edi Rama.
Sipas informacioneve nga vendngjarja, forcat e policisë kanë larguar protestuesit nga zona, ndërsa më pas kanë ndërhyrë për të hequr edhe strukturat dhe mjetet që përdoreshin gjatë qëndrimit të tyre.
Gjatë operacionit janë sekuestruar stolat metalikë që protestuesit përdornin në orët e mbrëmjes si barriera sigurie pranë podiumit të improvizuar, ku qytetarët mbanin fjalime dhe shprehnin pakënaqësitë e tyre.
Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se në zonë janë lënë vetëm pesë stola, ndërsa pjesa tjetër është larguar nga shërbimet policore.
Ndërhyrja vjen në një kohë kur protesta përpara Kryeministrisë ka hyrë në javën e dytë, ndërsa organizatorët kanë deklaruar se do të vijojnë qëndresën dhe aktivitetet protestuese në ditët në vijim.















