Advertisement

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është ndalur sërish te resorti “Zig Zag” në Vuno, i sekuestruar pak ditë më parë nga SPAK në kuadër të hetimeve ndaj një grupi të dyshuar kriminal të përfshirë në trafikun e drogës.

Në një reagim në rrjetet sociale, Berisha ka lidhur çështjen e resortit me pretendimet për pronësinë e tokave në zonën e Vunos, duke deklaruar se kompleksi turistik ndodhet pranë pronave që, sipas tij, pretendohen nga kryeministri Edi Rama dhe fisi Koleka.

Reklame

Kryedemokrati ka rikthyer në vëmendje edhe largimin nga detyra të ish-kreut të Kadastrës, Artan Lame, duke pretenduar se shkarkimi i tij erdhi vetëm pesë ditë pasi u publikua harta e tokave në Vuno.

Sipas Berishës, publikimi i kësaj harte lidhej me interesat pronësore në zonë dhe me ndërtimin e resortit “Zig Zag”, i cili ndodhet aktualisht nën sekuestro në kuadër të hetimeve të SPAK.

Berisha ka përmendur gjithashtu edhe emrin e Olsi Ramës, duke deklaruar se ai është “omniprezent në aksin Livadh-Jalë”, ndërsa i ka bërë thirrje Prokurorisë së Posaçme të thellojë hetimet.

“E vërteta e shkarkimit të Artan Lames: U dëbua vetëm 5 ditë pasi publikoi hartën e tokave në Vuno. Pse? Sepse resorti ‘Zig-Zag’ i bandave të drogës po ngrihet në kufi me pronat që pretendon Edi Rama e fisi Koleka. Olsi Rama është omniprezent në aksin Livadh-Jalë! Çfarë pret SPAK?”, shkruan Berisha në reagimin e tij.

Deri më tani nuk ka pasur një reagim nga Kryeministria, Olsi Rama apo institucionet e përmendura lidhur me këto pretendime. Ndërkohë, hetimet e SPAK për çështjen e resortit “Zig Zag” vijojnë.

Reklame