Ka diçka të trishtë e njëkohësisht qesharake në mënyrën si funksionon shteti ynë sa herë bie një shi i madh.
Qytetarët përballen me ujë deri në gju, me fëmijë në krah, me shtëpi që mbyten — dhe pikërisht atëherë, si me telekomandë, shfaqen të gjithë të mëdhenjtë e pushtetit.
Sa herë bie një shi i madh në Shqipëri, ndodh mrekullia: qeveria zgjodhet nga gjumi! Pas muajsh e muajsh me pushime, inaugurime fasadash, ndarje dekoratash dhe postime me “qershi mbi tortë”, mjafton një përmbytje që të kthehen të gjithë në “heronj”.

Dhe ja ku nis parada!
Ministra, deputetë, kryetarë bashkie—të gjithë me çizme të reja, të palara, të shkëlqyera fare, se mos i prek balta e fshatit. Me një eskavator para tyre (se një mjafton për të bërë foto), dhe një tufë njerëzish pas shpine: drejtora, shefa kabinetesh, dy gazetarë të oborrit, tre kameramanë dhe gjysma e stafit të emergjencave që administrojnë vetëm “pozat”, jo situatën.
Po ku qenë këta 12 vite verë për verë, stinë për stinë, kur kanalet ishin bllokuar, kur lumenjtë merrnin me vete ujërat e zeza, kur ndërtime pa leje ngriheshin buzë përrojeve?
Askund. Por tani, me permbytje, kanë ardhur të “na shpëtojnë”.

Dhe çfarë shohim?
Video ku ministrat tregojnë një pellg uji si të ishte cunam.
Foto të inskenuara ku çdo gjethe zhvendoset me leje të kamerës.
Status pas statusi që fillojnë me “Ne jemi në terren!”—por terreni është rruga e asfaltuar, jo fshati që mbytet tre metra më tej.
Ndërkohë, askush nuk thotë pse ndodhi përmbytja.
Askush nuk jep llogari për miliona euro taksa të shqiptarëve që zhduken në projekte imagjinare.
Askush nuk përmend të vërtetën: se për 12 vite nuk u bë asgjë. Dhe sot improvizohet heroizëm me buxhet fotografie.
Më e bukura?
Të gjithë duken sikur kanë ardhur për të realizuar serialin e radhës të tyre politik.

Ja disa prej figurave që e shijojnë këtë show më shumë se kushdo:
Ministri i Mbrojtjes – gjithë ditën me uniformë fushore, edhe pse vjen me eskortë dhe largohet pa lexuar as raportet.
Ministrja e Infrastrukturës – e cila çuditërisht çdo vit premton investime që nuk i sheh askush, por për videon e ditës është gjithmonë në orar.
Ministri i Brendshëm – që kujton se është komandant katastrofash, por koordinon vetëm kamerat, jo shpëtimtarët.
Kryetarët e Bashkive – kampionë të pozicionimit pranë një gropë uji me fytyrën më të shqetësuar që mund të gjejnë.
Ndërkohë, qytetarët presin, lagjet mbyten, shtëpitë dëmtohen, të moshuarit zhduken dhe askush nuk përgjigjet.
Por ç’rëndësi ka realiteti?
Mjafton fotoja: ministra me çizme, eskavatori pas tij, një fshatar që rri kot aty për sfond per te ardhur keq dhe normal nuk harrohet slogani “S’do t’ju lëmë vetëm!”
Jo, nuk na lini vetëm.
Na lini përmbytur.















