Rreth 100 milionë euro është fatura që, sipas deputetit të PD-së Eno Bozdo, lidhet me TEC-et lundruese “Tigri 1 dhe 3”.
Bozdo i ka kërkuar SPAK-ut të veprojë menjëherë, pasi më 3 shtator ERE pezulloi procedurën për rilicencimin e dy TEC-eve.
Sipas tij, pavarësisht këtij vendimi, KESH ka hapur një tender të ri, me vlerë rreth 20 milionë euro, për operimin dhe mirëmbajtjen e tyre për dy vitet e ardhshme.
Bozdo pretendon se deri tani janë paguar mbi 65 milionë dollarë për qira dhe mirëmbajtje, ndërsa për prodhimin e energjisë janë shpenzuar edhe rreth 18 milionë dollarë për karburant.
Sipas tij, në dy vitet e fundit TEC-et kanë prodhuar vetëm rreth 109 mijë megavat-orë energji, ndërsa kostoja e deklaruar nga KESH ka qenë rreth 163 euro për megavat-orë.
Një tjetër pikë e denoncimit lidhet me një procedurë prej rreth 5.3 milionë eurosh për depozitimin dhe ngarkim-shkarkimin e karburantit.
Bozdo pretendon se procedura është zhvilluar me negocim pa njoftim paraprak dhe se fituesi është shpallur me 99.95 për qind të fondit limit.
Tani, sipas tij, ndërsa ERE ka pezulluar rilicencimin, KESH kërkon të shpenzojë edhe 20 milionë euro të tjera për këto dy TEC-e.
Bozdo i ka kërkuar SPAK-ut të sekuestrojë dokumentacionin, të ndalojë tenderin e ri dhe të bëjë publike kontratat e qirasë.
“Çfarë prove tjetër pret SPAK-u për të vepruar?”, deklaroi ai.
Akuzat e Bozdos mbeten për t’u verifikuar nga institucionet përgjegjëse.
Ndërkohë, çështja e TEC-eve lundruese rikthen në vëmendje pyetjet për kostot e tyre, funksionimin dhe përgjegjësitë për një kontratë që, sipas opozitës, mund t’u kushtojë shqiptarëve rreth 100 milionë euro.
Lexo edhe
Meta ironizon SPAK: “Provat amerikane si tigrat e Bangladeshit”
“Për Ballukun ka sherr në SPAK”/ Ahmetaj: Ja pse Rama e hoqi qafe Veliajn













