Aksi nacional Tepelenë–Gjirokastër është bllokuar pasditen e sotme në vendin e njohur si “Shkalla e Zezë”, si pasojë e rënies së një masivi shtufor në rrugë.
Shembja ka penguar plotësisht qarkullimin e mjeteve, duke shkaktuar radhë të gjata automjetesh në të dy krahët e rrugës dhe vonesa të konsiderueshme për drejtuesit e mjeteve.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat po menaxhojnë situatën dhe po orientojnë drejtuesit e automjeteve, si edhe punonjësit e firmës kontraktore, të cilët kanë nisur punën për largimin e materialit shtufor dhe pastrimin e aksit.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë, deri në normalizimin e plotë të qarkullimit.













