Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sulmuar qeverinë për rritjen e çmimeve në Shqipëri, duke e akuzuar Edi Ramën për indiferencë ndaj vështirësive ekonomike të qytetarëve.

Në një konferencë për mediat, Berisha u ndal te çmimet e ushqimeve dhe krahasoi situatën në Shqipëri me atë në Greqi.

Reklame

Sipas tij, çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë rritur 5.2 herë më shumë se mesatarja e Bashkimit Evropian, ndërsa qeveria shqiptare, sipas tij, nuk ka ndërmarrë masa për lehtësimin e kostos së jetesës.

Berisha solli si shembull Greqinë, ku qeveria ka vendosur masa për uljen e çmimeve të rreth 1600 produkteve, me reduktime që sipas tij shkojnë nga 5 deri në 30 për qind.“Greqia, ndonëse qytetarët e saj kanë një rrogë mesatare katër herë më të madhe se qytetarët shqiptarë dhe çmime qartësisht më të ulëta se në Shqipëri, përsëri konsideron çmimet tejet munduese për qytetarët”, deklaroi Berisha.

Ai e cilësoi situatën ekonomike si një krizë të thellë dhe akuzoi qeverinë për mungesë reagimi përballë rritjes së kostos së jetesës.

Berisha pretendoi gjithashtu se 30 për qind e shqiptarëve kërcënohen nga uria, duke e cilësuar këtë si një “kambanë alarmi” për vendin.

“Qeveria ndërmerr zero veprime”, tha Berisha, ndërsa e cilësoi qëndrimin e Kryeministrit Rama ndaj rritjes së çmimeve si “çnjerëzor”.

Deklaratat e kreut të PD-së vijnë në një kohë kur kostoja e jetesës dhe çmimet e ushqimeve mbeten ndër çështjet kryesore të debatit politik dhe ekonomik në vend.

Lexo edhe:

Berisha: Luftë frontale oligopoleve, çmimet në Shqipëri më të larta se në BE

Berisha akuzon Ramën: “Mashtroi me bonuset, pensionistët në krizë nga çmimet”

Reklame