Më 4 maj, kryetari i Bashkisë së Shkodër, Benet Beci, do të paraqitet për herë të parë para Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si person i pandehur për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera.
Trupi gjykues do të përbëhet nga gjyqtaret Elsa Ulliri dhe Irena Gjoka, si edhe gjyqtari Besmir Stërkaj, të cilët do të çelin procesin gjyqësor ndaj Becit dhe gjashtë ish-vartësve të tij. Më herët, pesë nga të pandehurit, mes tyre edhe Beci, kanë kërkuar të gjykohen me procedurë të shkurtuar, çka nënkupton ulje me një të tretën të dënimit në rast shpalljeje fajtor.
Sipas SPAK, të pandehurit kanë shkelur barazinë mes operatorëve ekonomikë në një tender konsulence të zhvilluar nga KESH në vitin 2019, me objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjetik”. Nga hetimet rezulton se Benet Beci, në bashkëpunim me gjashtë vartësit e tij, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin për prokurimet publike, duke krijuar avantazhe të padrejta për kompaninë fituese Consulting & Management Albania.
Hetimi ndaj Becit dhe ish-vartësve nisi pas analizimit të provave materiale të sekuestruara gjatë kontrollit në banesën e Evis Berberi, i cili po ashtu akuzohet për shkelje të barazisë në tendera dhe pastrim parash.














