DIMAL – Banorët e fshatrave Çiflik, Arrëz, Banaj dhe Sheq protestuan sot para Bashkisë Dimal, duke kërkuar përgjegjësi për përmbytjet që kanë shkaktuar dëme të mëdha në tokat e tyre bujqësore.
Ata akuzojnë Bashkinë se ka bllokuar kanalin kullues dhe se punimet e kryera për ndërtimin e Urës së Re nga firma “Salillari”, si dhe shkatërrimi i argjinaturës, kanë kontribuar në përmbytjet e vazhdueshme gjatë viteve të fundit. Banorët thonë se disa prej tyre janë përmbytur deri në katër herë brenda një muaji, duke shkaktuar humbje kolosale në të mbjellat e tyre.
Një grup përfaqësuesish të komunitetit u takua me drejtuesit e Bashkisë, drejtorin e Shërbimeve Publike, Igrid Shkëmbi, dhe drejtoreshën e Burimeve Njerëzore, Rabushe Hoxha, për të paraqitur shqetësimet dhe pretendimet e tyre.
Përfaqësuesit e bashkisë deklaruan se përmbytjet kanë ardhur si pasojë e fryrjes së lumenjve dhe përrenjve, jo për shkak të neglizhencës së autoriteteve lokale. Ata gjithashtu njoftuan se do të kryhet një studim i detajuar i territorit dhe matje në terren për të verifikuar pretendimet e banorëve dhe për të marrë masat e nevojshme në të ardhmen.














