Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit, ka zhvilluar një operacion të gjerë në kuadër të hetimeve për trafik droge dhe pastrim parash, duke lëshuar në total 20 masa sigurie ndaj personave të dyshuar.

Sipas të dhënave paraprake, mes të dyshuarve figurojnë edhe disa biznesmenë të njohur. Deri më tani raportohet se në pranga ka rënë biznesmeni Orest Sota, ndërsa ndaj biznesmenëve Artur Shehu dhe Ilir Shtufi është caktuar masa “arrest me burg”, por këta të fundit nuk janë ekzekutuar pasi ndodhen jashtë territorit shqiptar.

Reklame

Po ashtu, masa të ngjashme sigurie janë lëshuar edhe për Edmond Jaupi, Orges Birçaj, Abedin Koçeku, Luçiano Koçeku, Baftri Troci, Gëzim Islami dhe Dritan Aga.

Burimet bëjnë me dije se operacioni është ende në zhvillim dhe pritet që në orët dhe ditët në vijim të dalin detaje të reja mbi rrjetin e dyshuar dhe rolin e secilit prej të përfshirëve.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende një njoftim zyrtar të detajuar për akuzat konkrete, ndërsa hetimet vijojnë nën masa të forta sigurie.

Reklame