Në Dhomën e Lordëve në Londër u zhvillua të enjten një aktivitet i posaçëm në nder të komunitetit shqiptar nga Shqipëria dhe Kosova, ku morën pjesë lordë, deputetë, ambasadorë, si dhe dhjetëra anëtarë të diasporës. Pritja u organizua me ftesë të Lord Mann dhe u mbështet nga Dhoma e Tregtisë Britani–Kosovë, Dhoma e Tregtisë Britani–Shqipëri dhe Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare.
I ftuar në këtë event ishte edhe Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe drejtuesi politik për Diasporën, Taulant Balla, i cili mbajti një fjalim vlerësues mbi rolin dhe kontributin e shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar.
Në nisje të fjalës së tij, Balla solli një citim nga Adam Smith, duke theksuar se energjia dhe puna e qytetarëve është motori i vërtetë i zhvillimit të çdo vendi. Ai vuri në dukje se ky parim përshkruan më së miri arsyen e takimit në zemër të Parlamentit britanik.
“Jam këtu për të njohur dhe vlerësuar një komunitet, puna dhe përkushtimi i të cilit mishërojnë idenë se prosperiteti ndërtohet nga njerëzit”, u shpreh ai.
Balla iu referua debatit të brendshëm britanik mbi emigracionin, duke thënë se disa raste të izoluara janë shndërruar padrejtësisht në një narrativë politike shumë më të madhe se realiteti.
“Këto shifra janë jashtëzakonisht të kufizuara, por rrezikojnë të formësojnë perceptime përtej peshës së tyre reale. Kur frika mbizotëron mbi faktet, cilësia e debatit publik dëmtohet,” tha ai.
Balla përmendi edhe rezultatet e bashkëpunimit mes autoriteteve shqiptare dhe britanike, duke theksuar se mbërritjet e parregullta nga Shqipëria drejt Britanisë së Madhe janë reduktuar ndjeshëm gjatë muajve të fundit.
Duke folur për ndikimin ekonomik, Balla theksoi se shqiptarët nga Shqipëria dhe Kosova nuk janë barrë, por aset i çmuar për Mbretërinë e Bashkuar, me përfshirje të gjerë në ekonomi, arsim, shëndetësi dhe sipërmarrje.
“Aktiviteti kriminal duhet dalluar qartë nga komunitetet që punojnë ndershëm dhe respektojnë ligjin,” shtoi ai.
Balla theksoi se kursi europian i Shqipërisë mbetet i pandryshueshëm dhe se pavarësisht ndryshimeve pas Brexit, Mbretëria e Bashkuar mbetet një partner i rëndësishëm për vendin dhe rajonin.
“Europa është një zgjedhje politike — zgjedhja për bashkëpunim mbi përplasjen, sundimin e ligjit mbi forcën, dialogun mbi konfliktin,” u shpreh ai.
Në mbyllje, Balla u drejtoi një mesazh të qartë komunitetit shqiptar në Britani:
“T’i përgjigjemi frikës me fakte, demagogjisë me dinjitet dhe përçarjes me bashkëpunim.”
Ai përcolli gjithashtu urime për festat kombëtare të nëntorit, duke theksuar rëndësinë e identitetit dhe unitetit kombëtar.
Në këtë aktivitet u vlerësua roli i shqiptarëve në Britani si një komunitet punëtor, kontribues dhe i integruar, ndërsa theksi u vendos në nevojën për të mbajtur diskursin publik të bazuar në fakte dhe realitete konkrete.















