Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, ka akuzuar opozitën se po shfrytëzon për qëllime politike paralajmërimin e Ambasadës së SHBA në Tiranë për kërcënime të mundshme nga Irani.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Balla e cilësoi reagimin e opozitës si “teatër”, duke theksuar se bëhet fjalë për një njoftim rutinë që ambasadat amerikane publikojnë rregullisht për qytetarët e tyre.
“Më vjen keq që për hesap të debatit politik përdoret një njoftim rutinë. Edhe Departamenti i Shtetit i informon çdo ditë qytetarët e vet për rreziqe të mundshme,” u shpreh ai.
Balla theksoi se Shqipëria mbetet një aleate e fortë e Shteteve të Bashkuara dhe nënvizoi se nuk ka asnjë informacion zyrtar që vendi të jetë aktualisht objektiv i ndonjë sulmi.
Në të njëjtën kohë, ai përshëndeti qëndrimin e presidentit Donald Trump ndaj Iranit, duke mbështetur veprimet për goditjen e infrastrukturës së regjimit iranian.
“Shqipëria është aleate e SHBA dhe ne qëndrojmë në një linjë me partnerët tanë strategjikë,” deklaroi Balla, ndërsa i bëri thirrje opozitës të shmangë retorikën politike dhe të sillet me përgjegjësi në çështje të sigurisë kombëtare.
Debati në Kuvend vijon të jetë i tensionuar, me palët që mbajnë qëndrime të kundërta mbi interpretimin e paralajmërimit të Ambasadës amerikane dhe situatën e sigurisë në vend.















