TIRANË – Një 66-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se kishte strehuar në hotelin e tij disa shtetas të huaj dhe u kishte siguruar transport për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin, me destinacion vendet e Bashkimit Evropian.
Në pranga ka rënë Petrit Spaho, pronar i një hoteli në zonën e Vaqarrit.
Sipas të dhënave të Policisë, Spaho dyshohet se kishte strehuar në hotel disa shtetas të huaj dhe më pas u kishte siguruar mjete transporti, duke i nisur në drejtim të Koplikut, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit dhe vijimin e udhëtimit drejt vendeve të BE-së.
U kapën 7 shtetas nga Sudani
Shërbimet e Policisë Kufitare Tiranë kanë identifikuar dhe ndjekur dy automjete taksi që dyshohet se po transportonin emigrantët.
Në bashkëpunim me Policinë Kufitare Shkodër, automjetet janë ndaluar dhe brenda tyre janë gjetur 7 shtetas nga Sudani.
Emigrantët janë proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Ndërkohë, edhe një prej taksistëve, me inicialet P. Gj., është proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Çfarë iu sekuestrua pronarit të hotelit?
Gjatë veprimeve policore, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale:
- 2 armë gjahu, njëra prej të cilave dyshohet se mbahej pa leje;
- fishekë të armës së gjahut;
- 7 telefona celularë;
- dy automjetet taksi;
- libri i regjistrimit të klientëve të hotelit.
Petrit Spaho akuzohet për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Veprime që pengojnë në zbulimin e së vërtetës” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjahut dhe sportive”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë, e cila do të vijojë hetimet për dokumentimin e plotë të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësive të personave të përfshirë.
Lexo edhe:
Landfillet klandestine pushtojnë brigjet e lumenjve nga jugu në veri. Institucionet heshtin!
SPAK kërkon 250 vite burg për 33 të pandehur për trafik klandestinësh













