Ka nisur me tensione dhe replika politike seanca e sotme plenare në Kuvend.
E para që mori fjalën ishte deputetja e PD-së, Ina Zhupa, e cila solli në vëmendje arrestimin e ish-zv.presidentes së Komisionit Europian, Federica Mogherini, një nga tre personat e ndaluar sot nga policia belge, në kuadër të një hetimi të gjerë për mashtrim mbi financimin e një akademie në Bruges.
Zhupa, duke iu referuar faktit se Mogherini njihet si një mbështetëse e kryeministrit Edi Rama, e lidhi rastin me debatet e brendshme politike, sidomos me çështjen e Belinda Ballukut.
Sipas saj, ngjarja e sotme tregon qartë se çfarë nënkupton “standardi europian”, duke hedhur dyshime të forta mbi figurat e afërta me kreun e qeverisë.
“Sot kuptuan të gjithë ç’nënkuptojmë me standard europian,” deklaroi Zhupa nga foltorja, duke shtuar se është në dilemë nëse “miqtë europianë të Ramës janë të korruptuar dhe zgjedhin të bashkëpunojnë në Shqipëri apo vijnë të ‘masterizohen’ këtu për t’u korruptuar”.
Deklaratat e saj shkaktuan reagime në sallë, ndërsa pritet që debati të vijojë gjatë seancës së sotme, mes akuzave të opozitës dhe përgjigjeve nga mazhoranca.















