Policia e Shtetit, përmes Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik, ka dhënë alarmin për një valë mashtrimesh online që lidhen me oferta të rreme për kredi, duke vënë në rrezik serioz të dhënat personale dhe financiare të qytetarëve.
Sipas policisë, janë evidentuar raste të shumta ku persona të paidentifikuar, përmes faqeve të dyshimta në internet, rrjeteve sociale apo mesazheve elektronike, paraqiten si përfaqësues të institucioneve financiare. Këta individë i nxisin qytetarët të aplikojnë online për kredi, me qëllimin e vetëm përfitimin monetar në mënyrë mashtruese.
Autoritetet theksojnë se këto oferta janë plotësisht mashtruese dhe synojnë përvetësimin e të dhënave personale, bankare dhe financiare, duke ekspozuar qytetarët ndaj humbjeve ekonomike dhe vjedhjes së identitetit.
Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, të mos dërgojnë para, të dhëna bankare apo dokumente personale te persona të paidentifikuar ose faqe interneti të pasigurta. Po ashtu, këshillohet që përpara çdo aplikimi për kredi, të verifikohet gjithmonë informacioni dhe të komunikohet drejtpërdrejt me personelin bankar, duke përdorur vetëm kontaktet zyrtare të publikuara nga institucionet financiare.
Qytetarët ftohen që çdo rast të dyshuar për mashtrim ta denoncojnë menjëherë pranë Policisë së Shtetit, për të ndihmuar në parandalimin dhe hetimin e këtyre veprave penale.
Policia e Shtetit mbetet e angazhuar në luftën kundër krimit kibernetik dhe apelon për kujdes, verifikim dhe bashkëpunim nga ana e qytetarëve, për të mos rënë pre e këtyre skemave mashtruese.















