Një incident kibernetik ka prekur infrastrukturën e teknologjisë së informacionit të Posta Shqiptare, i konstatuar më 25 mars 2026, duke ngritur shqetësime për sigurinë dixhitale në vend.
Sipas Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, nga vlerësimi paraprak nuk rezulton që të dhënat të jenë enkriptuar apo fshirë, ndërsa shërbimet nuk kanë pësuar ndërprerje si pasojë direkte e sulmit.
Menjëherë pas identifikimit të incidentit, AKSK ngriti një grup të posaçëm ekspertësh që po punon në bashkëpunim me stafin teknik të Postës për analizimin e thelluar të situatës, identifikimin e çdo komprometimi të mundshëm dhe sigurimin e sistemeve kritike.
Për arsye sigurie dhe me rekomandim të Autoritetit, disa shërbime u pezulluan përkohësisht, por aktualisht janë rikthyer dhe funksionojnë normalisht për qytetarët.
Ndërkohë, në burime të hapura janë publikuar disa të dhëna të dyshuara si të rrjedhura, të cilat po verifikohen për autenticitetin dhe origjinën e tyre. Sipas AKSK, deri tani bëhet fjalë për një sasi të kufizuar të dhënash të mundshme të ekspozuara.
Autoriteti dënoi çdo sulm ndaj infrastrukturave kritike dhe siguroi se do të vijojë informimin transparent të publikut, duke paralajmëruar publikimin e një raporti përfundimtar pas përfundimit të hetimeve.














