Erion Veliaj u është drejtuar me një mesazh socialistëve të Tiranës përmes një postimi në Facebook, në prag të Asamblesë së Partisë Socialiste. Nga mesazhi, kryetari i Bashkisë së Tiranës përcjell kritika të forta për mënyrën se si funksionon sot partia, duke vënë në pikëpyetje raportin mes drejtuesve dhe bazës socialiste.
Veliaj rikujton vitin 2015, kur sipas tij u ndërtua një organizatë politike që besonte te puna, progresi dhe qyteti. Ai thekson se fitoret e asaj periudhe nuk erdhën nga bandat, krimi apo njerëzit e fortë, por nga puna dhe kontributi i socialistëve të Tiranës.
Reklame
MESAZH PËR ASAMBLENË E TIRANËS
Të dashur miq dhe socialistë të Tiranës!
Prej vitit 2015 ndërtuam bashkë një organizatë që besonte te puna, progresi dhe qyteti. Fitoret tona nuk na i dhanë as bandat, as krimi dhe as të fortët. Ato i ndërtuam me djersën e socialistëve dhe qytetarinë e Tiranës.
Po a jemi ende ajo parti?
Hidhni një sy nga shoku në krah. A është ende socialisti me të cilin ndamë betejat dhe fitoret, apo vendin e tij e kanë zënë ministruca e drejtoruca, që pushtojnë territore me privilegje, në vend që të pushtojnë zemrat e qytetarëve?
Më pikëllon të shoh një parti ku drejtuesi u hakërrehet socialistëve që e ngritën në krye, ku mijëra vota e vite sakrificash fshihen me një klithmë të tij dhe ku besnikëria e verbër ndaj tij vlen më shumë se besnikëria ndaj parimeve.
Ne ndërtuam një parti zemrash, jo një hordhi privilegjesh!
Unë sot vërtet i kam duart e lidhura, por jo kujtesën, bindjet dhe përgjegjësinë për atë që ndërtuam bashkë.
Tirana është qyteti i rinisë, kulturës dhe optimizmit. Tirana është zemra jonë e madhe.
Ruajeni qytetarinë dhe djersën socialiste. Mos lejoni që historia jonë të zëvendësohet nga pushteti i pamerituar.
Me mall, respekt, përulje dhe mirënjohje,
Miku dhe shoku juaj,
Socialisti me duar të lidhura
Erion Veliaj
Lexo edhe
Reklame














