Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas protestës së zhvilluar në Tiranë, duke përshëndetur studentët dhe qytetarët që morën pjesë në tubim, ndërsa ka paralajmëruar zyrtarët që firmosën gjobat ndaj protestuesve se do të mbajnë përgjegjësi.

Në një deklaratë për mediat, Berisha pretendoi se studentët dhe qytetarët i hodhën në koshat e plehrave dekretet e qeverisë, të cilat ai i cilësoi si “diktatoriale” dhe si një përpjekje për të ndaluar revoltën studentore.

Reklame

Sipas tij, aktet e ndërmarra nga kryeministri Edi Rama nuk arritën të ndalojnë protestën dhe qytetarët iu përgjigjën me pjesëmarrjen e tyre në rrugët dhe sheshet e kryeqytetit.

Berisha: Gjobat do t’u kthehen me vlerë tre herë më të lartë

Një nga paralajmërimet kryesore të Berishës iu drejtua zyrtarëve që kanë firmosur gjobat ndaj protestuesve.

Ai deklaroi se, nëse Partia Demokratike vjen në pushtet, gjobat do t’u rikthehen qytetarëve me një vlerë tre herë më të lartë se shuma e paguar.

“Garantoj çdo student dhe qytetar se gjobat e narkoshtetit do t’u rikthehen atyre me vlerë tre herë më të lartë, por edhe gjobëvënësi që vë firmën e tij, do të paguajë shumë shtrenjtë atë firmë që vendos”, deklaroi Berisha.

Ai paralajmëroi gjithashtu se zyrtarët që firmosin këto masa mund të përballen edhe me ndjekje penale, duke u bërë thirrje të mos firmosin akte që ai i konsideron të paligjshme.

Kërkon lirimin e protestuesve të ndaluar

Gjatë deklaratës, kreu i PD-së kërkoi lirimin e menjëhershëm të studentëve dhe qytetarëve të ndaluar në komisariate pas protestës.

Berisha vlerësoi pjesëmarrjen e qytetarëve dhe studentëve, ndërsa pretendoi se demonstruesit u provokuan në mënyrë të përsëritur nga policia.

Ai akuzoi Policinë e Shtetit se kishte vepruar sipas një skenari kriminal ndaj protestës studentore.

Në përfundim, Berisha deklaroi se Partia Demokratike nuk do të respektojë akte që, sipas tij, bien ndesh me Kushtetutën dhe të drejtat e garantuara nga Karta Europiane e të Drejtave të Njeriut.

Lexo edhe

Berisha del nga SPAK: “Ka amnistuar krimin elektoral, herën tjetër do të vij me maskë antidrogë”

Berisha mobilizon qytetarët: “Nesër të gjithë në Tiranë, në krah të studentëve!”

Reklame