Katër anije luftarake të NATO-s, dy gjermane, një italiane dhe një spanjolle, kanë mbërritur në portin e Vlorës, ku do të qëndrojnë deri më 6 nëntor për zhvillimin e një aktiviteti të përbashkët ushtarak me Forcën Detare Shqiptare.
Anijet kanë hyrë në Gjirin e Vlorës më 2 nëntor, ndërsa programi parashikon vizita portuale dhe stërvitje të përbashkëta detare dhe ajrore.
Gjatë datave 3 dhe 4 nëntor, ekuipazhet do të zhvillojnë vizita portuale, ndërsa më 5 dhe 6 nëntor do të zhvillohen manovra të përbashkëta, ku do të angazhohen luftanijet e NATO-s dhe mjetet lundruese të Forcës Detare Shqiptare.
Stërvitja synon forcimin e bashkëpunimit mes forcave detare të vendeve aleate dhe rritjen e ndërveprueshmërisë përmes koordinimit të operacioneve nga deti dhe ajri, komunikimit mes ekuipazheve dhe simulimit të skenarëve të përbashkët operacionalë.
Aktiviteti synon gjithashtu rritjen e gatishmërisë dhe përgatitjen e personelit ushtarak për angazhime të koordinuara në kuadër të misioneve të Aleancës.
Kjo është hera e dytë brenda një muaji që anije luftarake të NATO-s mbërrijnë në Gjirin e Vlorës për stërvitje me flotën shqiptare, duke e kthyer këtë zonë në një pikë të rëndësishme të bashkëpunimit ushtarak mes vendeve aleate.
Lexo edhe
Shi dhe shtrëngata, parashikimi i motit për ditën e sotme 3 nëntor
Horoskopi 3 nëntor 2026. Parashikimi i yjeve për secilën shenjë













