Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër ndaj ftesës së Presidentit Bajram Begaj për konsultime me partitë politike lidhur me datën e zgjedhjeve të ardhshme vendore.
Në një deklaratë publike, Bardhi e cilësoi procesin e konsultimeve si “teatër politik” dhe tha se ftesa e kreut të shtetit nuk meriton koment. Ai akuzoi Presidentin se nuk po e ushtron rolin e tij kushtetues në mënyrë të pavarur.
“Për fat të keq, Shqipëria nuk ka një President të Republikës që përmbush rolin e tij kushtetues, por një ministër pa portofol në shërbim të Edi Ramës”, deklaroi Bardhi.
Bardhi: Zgjedhjet e lira duhet të trajtohen si emergjencë demokratike
Kreu i grupit parlamentar të PD-së pretendoi se qytetarët që po protestojnë kërkojnë, ndër të tjera, garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Sipas Bardhit, Presidenti duhet t’u përgjigjet me seriozitet shqetësimeve për procesin zgjedhor dhe të luajë një rol më aktiv në mbrojtjen e Kushtetutës dhe demokracisë.
Ai kritikoi qëndrimin që, sipas tij, ka mbajtur Begaj, duke e akuzuar se po qëndron spektator përballë shqetësimeve të qytetarëve.
Reagimi i Bardhit vjen pas njoftimit të konsultimeve të thirrura nga Presidenti për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore. Përplasja politike zhvillohet në një kohë kur opozita po kërkon garanci për standardet e procesit zgjedhor.
Lexo edhe
Zgjedhjet vendore 2027/ Begaj nis konsultimet me partitë, më 6 nëntor afati i fundit për dekretin
134 drejtues nën presionin e dorëheqjes! Rama kërkon llogari, ja institucionet që preken














