Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka vendosur që gjykimi ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit të vijojë edhe pa praninë e avokatëve të tyre, pasi katër mbrojtësit e thirrur nga gjykata nuk pranuan të merrnin pjesë në seancë.
Përveç avokatëve të zgjedhur nga vetë të pandehurit, të cilët mungojnë për shkak të bojkotit, edhe dy avokatët e caktuar përmes ndihmës juridike falas refuzuan thirrjen e gjykatës.
Njëra prej avokateve argumentoi se nuk do të merrte pjesë për shkak të bojkotit, ndërsa tjetra pretendoi se çështja nuk përmbushte kushtet për ofrimin e ndihmës juridike falas.
GJKKO i vlerësoi të pabazuara kërkesat e katër avokatëve për të mos marrë pjesë në mbrojtjen e Metës dhe Kryemadhit. Për këtë arsye, gjykata vendosi gjobë prej 20 mijë lekësh për secilin prej dy avokatëve të zgjedhur nga të pandehurit dhe 5 mijë lekësh për secilin prej dy avokatëve të ndihmës juridike falas.
Seanca e radhës u caktua më 29 tetor, në orën 11:00. Ndërkohë, gjykata vendosi pezullimin e afateve të paraburgimit për Ilir Metën.
Meta: Jam gati të mbrohem edhe vetë
Pas seancës, Ilir Meta deklaroi se është i gatshëm të mbrohet edhe vetë, duke e cilësuar situatën si një përpjekje për zvarritjen e procesit gjyqësor.
Meta bëri të ditur se kishte takuar në ambientet e gjykatës edhe kryetarin e Dhomës së Avokatisë, të cilit i kishte kërkuar një zgjidhje për situatën. Sipas tij, ky i fundit e kishte informuar se do të zhvillonte një takim për këtë çështje në Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ).
Kreu i Partisë së Lirisë ngriti gjithashtu pretendime për mungesën e prokurorëve të çështjes, duke deklaruar se SPAK kishte dërguar një prokuror tjetër, Vladimir Marën. Sipas Metës, kjo ishte bërë qëllimisht për të mundësuar pezullimin e afateve të paraburgimit.
Këto pretendime janë deklarata të vetë Metës. Seanca e radhës për çështjen ndaj tij dhe Monika Kryemadhit do të mbahet më 29 tetor, në orën 11:00.
Lexo edhe














