Mbrëmjen e kaluar, pasi studentët u përplasën ashpër për mbi 4 orë më policinë dhe FNSH-në përpara Kryeministrisë, në një tjetër cep të protestës u shfaq një skenë krejt e ndryshme. Dhjetra persona të njohur si “Flamingot” u bashkuan, përqafuan efektivët e policisë dhe u dhanë ujë. Pamjet përcollën mesazhin e një proteste që po kthehej drejt paqes, por në të njëjtën kohë, përplasjet me studentët vazhdonin pranë zonës së Ushtarit të Panjohur. Ndërsa studentët përballeshin me policinë, vëmendja mediatike u zhvendos te skena e përqafimeve, sikur gjithçka të ishte qetësuar dhe protesta të kishte gjetur më në fund fytyrën e saj të vërtetë.
Por a ishte vërtet ky moment i kthesës drejt paqes, apo një skenë që, me dashje apo pa dashje, e largoi vëmendjen nga ajo që po ndodhte me studentët?
Flamingot dhe loja me dy porta
Pas përplasjeve të ashpra përpara Kryeministrisë, policia i shtyu studentët drejt zonës pranë Hotel Dajtit. Më pas, ata u zhvendosën drejt sheshit pranë Ushtarit të Panjohur, ku përplasjet vazhduan. Në hapësirën mes dy kordonëve të policisë, njërit pranë urës mbi Lanë dhe tjetrit përpara Kryeministrisë, u shfaqën “Flamingot”, që kishte ditë që nuk dukeshin gjëkundi, të cilët përqafonin efektivët dhe u jepnin ujë. Në njërën anë studentët përballeshin me policinë, ndërsa në anën tjetër shfaqej një skenë që dukej sikur synonte të dëshmonte se gjithçka po shkonte drejt normalizimit.
Ky kontrast ngre pikëpyetje që nuk mund të anashkalohen. Pse, pikërisht në atë moment, një pjesë e protestës u shndërrua në një skenë pajtimi me policinë, ndërsa studentët vazhdonin përplasjet? Pse kamerat u përqendruan te përqafimet dhe jo te ajo që po ndodhte me të rinjtë? Dhe mbi të gjitha, kujt i shërbeu kjo pamje?
Nuk ka asgjë të keqe që një protestues t’i japë ujë një polici apo të kërkojë shmangien e dhunës. Por kur këto pamje shfaqen në të njëjtën kohë me përplasjet e studentëve dhe përfundojnë duke mbizotëruar në pasqyrimin mediatik, lind dyshimi se dikush mund të jetë duke përfituar politikisht nga kontrasti mes dy skenave.
Dyshimet bëhen edhe më të forta kur merret parasysh pretendimi se ky grup ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me forcat politike. Mbrëmë, ata u shfaqën të bashkuar përpara Kryeministrisë, sikur të ishin njerëzit që mund të vendosin se ku duhet të shkojë protesta dhe kush duhet ta përfaqësojë atë. Por askush nuk e merr përfaqësimin e një kauze vetëm duke u shfaqur në skenë, aq më pak kur të tjerët po përballen me pasojat e përplasjes.
Mbrëmë ishte një përpjekje e dështuar në fakt, por sigurisht me një efekt mediatik për të kontrolluar protestën, për të zbehur rolin e studentëve dhe për ta kthyer qëndresën e tyre në kapital politik për disa individë, atëherë nuk kemi të bëjmë me një përpjekje për të shpëtuar protestën, por me rrezikun e tradhtimit të saj. Dyshimi se disa prej nismëtarëve po luajnë me dy porta, duke pritur të shohin se kush do të dalë fitues përpara se të pozicionohen, kërkon përgjigje dhe transparencë. Po aq serioz është dyshimi se, në fund, disa mund të synojnë përfitime politike apo poste, duke u paraqitur si qëndrestarët që shpëtuan situatën.
Kjo “lojë” nuk I ekspozon ata si ndërmjetësues të paqes, por si njerëzit që i dhanë goditjen vendimtare kauzës studentore. Do të bëheshin, politikisht, toga e pushkatimit të një proteste që nuk u ngrit për karrierën e askujt, por për të përballur pushtetin me kërkesat e saj. Të shfrytëzosh përplasjet dhe sakrificën e studentëve për të ndërtuar imazhin e vet si “qëndrestar i madh” do të ishte një akt i rëndë papërgjegjshmërie dhe një tradhti ndaj njerëzve që e paguajnë vetë koston e protestës.
Kundërshtarë të Ramës në publik, çfarë roli në prapaskenë?
Një tjetër pikëpyetje lidhet me disa prej personave që janë shfaqur si kundërshtarë të fortë të Edi Ramës. Në publik, ata janë përballur me sulme dhe kritika, ndërsa një pjesë e mbështetësve i sheh si figura që nuk tërhiqen përballë pushtetit. Por a mjafton kjo për të provuar se ata janë në anën e studentëve? Sigurisht që jo. Një kundërshtar i deklaruar i qeverisë nuk bëhet automatikisht përfaqësues i protestës dhe as çdo përplasje me pushtetin nuk është garanci se synimet e tij përputhen me ato të studentëve.
Mënyra se si disa prej këtyre personave janë trajtuar nga policia ka ngritur gjithashtu pikëpyetje. Sipas përshkrimeve të bëra për ngjarjen, disa prej tyre u ndaluan në rrethana kur nuk po merrnin pjesë drejtpërdrejt në përplasje, por qëndronin nën hijen e një peme. Pamja e ndalimit të tyre, sikur të bëhej fjalë për njerëzit që kishin shkaktuar dëmin më të madh, mund t’i ketë shërbyer imazhit të tyre publik si kundërshtarë të përndjekur nga pushteti. Por pa verifikuar pamjet, rrethanat e plota dhe arsyet zyrtare të ndalimit, nuk mund të thuhet se kjo ishte një skemë e organizuar për t’i ngritur politikisht.
Megjithatë, pyetja mbetet: a mund të kthehen përplasjet me pushtetin në një mënyrë për të krijuar figura të reja politike, ndërsa kauza që i solli njerëzit në rrugë mbetet në plan të dytë? Nëse dikush përfiton nga çdo zhvillim, pavarësisht nëse protesta fiton apo humbet, atëherë interesi i tij mund të mos jetë aspak i njëjtë me interesin e studentëve.
Në këtë kontekst është përmendur edhe Altin Goxhaj, të cilin disa e shohin si një nga figurat me ndikim në prapaskenën e protestës. Por pretendimi se ai është “eminenca gri” e saj. Për të kuptuar rolin e tij dhe të personave të tjerë, duhen parë veprimet, komunikimet, vendimmarrjet dhe lidhjet reale, jo vetëm deklaratat publike apo përshtypjet që krijojnë pamjet televizive.

Kush e tentoi ta tradhtojë kauzën e studentëve?
Rreziku më i madh për një protestë nuk vjen gjithmonë vetëm nga përballja e drejtpërdrejtë me pushtetin. Ndonjëherë, goditja më e rëndë vjen nga brenda, nga njerëz që pretendojnë se e përfaqësojnë kauzën, por që mund të kenë interesa të tjera. Një protestë mund të dobësohet nga dhuna, nga përçarja, nga manipulimi i vëmendjes publike, por edhe nga ambicia e atyre që kërkojnë ta kthejnë atë në një trampolinë politike.
Nëse disa prej nismëtarëve kanë hyrë në këtë protestë për të fituar ndikim, për të negociuar pozicione apo për t’u paraqitur nesër si shpëtimtarët e saj, atëherë studentët duhet të jenë të parët që ti kundërvihen këtij grupi. Nuk mund të pranosh që të tjerët të përballen me policinë, të rrezikojnë të lëndohen dhe të mbajnë mbi shpinë koston e protestës, ndërsa ti të qëndrosh në një pozicion të sigurt, të presësh rezultatin dhe më pas të dalësh si fituesi i madh.
Nuk mund të pretendosh se je në krah të studentëve vetëm sepse je përpara Kryeministrisë. Nuk mund ta quash veten qëndrestar vetëm sepse je ndaluar nga policia. Dhe nuk mund të përvetësosh një kauzë vetëm sepse arrin të marrësh vëmendjen e kamerave. Qëndresa matet me atë që bën për kauzën, me përgjegjësinë që mban dhe me transparencën ndaj njerëzve që pretendon se përfaqëson.
Nëse “Flamingot” dhe personat që qëndrojnë në krye të tyre kanë një qëllim të pastër, le ta bëjnë të qartë. Nëse kanë pasur kontakte me partitë politike, le të shpjegojnë natyrën e tyre. Nëse nuk synojnë përfitime personale, le të tregojnë se çfarë kërkojnë dhe kujt i përgjigjen. Heshtja përballë këtyre pikëpyetjeve vetëm sa e thellon mosbesimin.
Studentët dolën në rrugë për kauzën e tyre, jo për t’u bërë sfond i karrierës politike të të tjerëve. Ata nuk dolën që dikush të ndërtojë imazhin e vet mbi përplasjet e tyre dhe as që një grup të përfitojë politikisht nga një protestë që mund të mos e ketë kontrolluar kurrë realisht.
Nëse kjo protestë po përdoret për interesa që nuk kanë lidhje me kërkesat e studentëve, atëherë tradhtia nuk do të jetë thjesht politike. Do të jetë edhe njerëzore. Sepse nuk ka asnjë qëndresë të vërtetë kur sakrifica e njërit shndërrohet në përfitim për tjetrin. Dhe nëse dikush ka marrë përsipër ta çojë këtë kauzë drejt dështimit, për të dalë më pas si fitues, studentët dhe publiku meritojnë ta dinë. Jo përmes thashethemeve, por përmes fakteve, përgjegjësive dhe të vërtetës.
Lexo edhe
Pas protestave, Rama viziton dyqanet e dëmtuara: Bizneset të regjistrojnë dëmet në e-Albania
Parashikimi i motit për ditën e sotme. Ulen temperaturat në gjithë vendin














