Një ekskursion shkollor në Monte Karlo është kthyer në objekt polemikash në Maqedoninë e Veriut, pas akuzave se drejtoresha dhe ndihmësdrejtori i një shkolle profesionale kanë luajtur në kazino, ndërsa nxënësit që shoqëronin kanë pritur në holl.
Denoncimi është bërë nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM), ndërsa rasti është pasqyruar edhe në mediat vendase.
Sipas Jovançe Manaskovit, kryetarit të Komisionit për Arsim dhe Shkencë të LSDM-së, personat e përfshirë në pretendime janë Zhaneta Servini, drejtoreshë, dhe Lupço Zdravkovski, ndihmësdrejtor i Qendrës Rajonale për Arsim dhe Trajnim Profesional “Gjorgji Naumov” në Manastir.
Manaskov pretendon se dy drejtuesit kanë qëndruar në makinat elektronike të lojërave të fatit, ndërsa nxënësit e mitur i kanë pritur në ambientet e kazinosë. Sipas tij, për rastin ka video dhe fotografi, të cilat pritet të publikohen me fytyrat e nxënësve të turbulluara, për të ruajtur identitetin e tyre.
“Ky është një rast imoral dhe për këtë arsye kërkojmë përgjegjësi nga i pari te i fundit”, deklaroi Manaskov.
LSDM i ka kërkuar ministres së Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevskës, të kryejë një kontroll urgjent dhe të nisë procedurat për të përcaktuar nëse ka shkelje dhe nëse personat e përmendur duhet të mbajnë përgjegjësi.
Deri në momentin e raportimit, nuk ka pasur një reagim publik nga drejtoresha, ndihmësdrejtori apo ministria për akuzat. Pretendimet mbeten për t’u verifikuar nga institucionet kompetente.
Lexo edhe
Vrau gruan dhe kunatin? Valon Ramushi vetëdorëzohet në polici pas krimit në Gjilan
“Kullat e drogës lulëzojnë, industria po shkatërrohet”/ Berisha sulmon Ramën: “Ndërtoi narkoshtetin”














