Deputetët e Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi dhe Tomor Alizoti, kanë kundërshtuar në Komisionin e Ligjeve projektligjin e mazhorancës për ndarjen e re administrativo-territoriale.
Gjatë diskutimeve, Bylykbashi e cilësoi projektin e propozuar nga Partia Socialiste si një proces që, sipas tij, cenon Kushtetutën dhe interesin e qytetarëve.
Deputeti demokrat kërkoi që të merret në shqyrtim edhe nisma e opozitës për reformën territoriale, e cila parashikon 100 bashki, dhe që të zhvillohet konsultimi me njësitë vendore.
Bylykbashi akuzoi mazhorancën se po pengon shqyrtimin e nismës së opozitës dhe kërkoi që të merren parasysh qëndrimet e bashkive dhe komuniteteve që preken nga ndryshimet.“Kemi një propozim i cili është shumë më i mirë se ai që keni ju. Megjithatë kjo t’i lihet për gjykim deputetëve, por edhe të çohet për konsultim, të merret opinioni i njësive përkatëse”, tha Bylykbashi.
Sipas tij, opozita ka kërkuar gjithashtu vlerësim nga Kongresi i Autoriteteve Vendore dhe Rajonale të Këshillit të Europës, duke kundërshtuar vijimin e procesit pa u shqyrtuar paralelisht të dyja nismat.
ALIZOTI: NUK MUND TË ANASHKALOHET VULLNETI I BANORËVE
Edhe deputeti demokrat Tomor Alizoti kundërshtoi draftin e mazhorancës, duke argumentuar se një reformë e kësaj rëndësie duhet të marrë në konsideratë vullnetin e komuniteteve.
Alizoti tha se një nismë e deputetëve nuk mund të anashkalojë qëndrimet e banorëve të bashkive që parashikohet të shkrihen.
“Një reformë kaq e rëndësishme siç është Reforma Territoriale do kohë. Sepse flitet për territorin e njerëzve. Nuk mundet një nismë deputetësh të heqë dëshirën e njerëzve që jetojnë atje”, u shpreh ai.
Duke iu referuar këshillave bashkiakë që mund të shprehen kundër bashkimit të njësive vendore, Alizoti kërkoi që këto qëndrime të mos anashkalohen.
Ai deklaroi gjithashtu se mazhoranca nuk duhet të përdorë shumicën parlamentare për të miratuar ndryshimet pa konsensus.
Në fund, Alizoti e cilësoi reformën e propozuar nga PS si një nismë që, sipas tij, ka edhe qëllime elektorale.
“Ky është një qëllim elektoral. S’mund të bëni një hartë territoriale që nuk e duan njerëzit. Sa herë që duhen vota, nuk mund të bëhen reforma”, tha Alizoti.
Mazhoranca, nga ana tjetër, ka mbrojtur procedurën e ndjekur për projektligjin dhe ka argumentuar se konsultimi publik është zhvilluar sipas procedurave të përcaktuara.
Debati vijon në Komisionin e Ligjeve, ndërsa reforma territoriale parashikon ndryshimin e hartës aktuale të bashkive.
Lexo edhe
“Nëse Veliaj del nga burgu, vdiq Reforma!”/ Gazment Bardhi: Gjykata e Lartë po vihet në provë
Reforma Territoriale/ Braçe nxjerr zbuluar mazhorancën: Kufijtë e rinj i mora vesh nga mediat














