11 vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në territorin e vendit, ndërsa 7 të tjera janë nën mbikëqyrje dhe 2 janë shuar. Të dhënat janë bërë publike nga Ministria e Mbrojtjes në përditësimin e orës 20:00 për situatën e zjarreve, më 6 shtator 2026.

Gjatë ditës janë raportuar gjithsej 20 vatra zjarri, për përballimin e të cilave janë angazhuar strukturat vendore dhe Forcat e Armatosura, me mjete tokësore dhe kapacitete ajrore.

Reklame

Dajti mbetet aktiv

Një nga zonat ku vijon ndërhyrja është Mali i Dajtit, ku zjarri mbetet aktiv. Në operacion janë angazhuar edhe Forcat e Armatosura me efektivë, mjete dhe helikopterë.

Ndërhyrje po kryhet edhe në Kryezi të Kavajës, ku krahas forcave zjarrfikëse është angazhuar edhe një avion Air Tractor.

Zjarre aktive në disa qarqe

Në Dibër, situata vijon të jetë aktive, veçanërisht në zonën Lundre–Madhesh të Matit.

Në Lezhë, forcat në terren po punojnë në zonën Kalivaç–Zimaj–Kashnjet, me mbështetjen e dy helikopterëve të Forcave të Armatosura.

Në qarkun Shkodër, zjarri Bardhaj–Myselim mbetet aktiv. Në operacion janë përfshirë strukturat vendore, vullnetarë dhe Forcat e Armatosura, përfshirë dy helikopterë.

Aktiv mbetet edhe zjarri në Kulumri të Fushë-Arrëzit.

Tërbuni i Pukës dhe zona të tjera

Vatra aktive raportohen gjithashtu në Kropisht të Selenicës, Vokopolë të Poliçanit dhe Tërbun të Pukës, ndërsa situata vijon të monitorohet edhe në zona të tjera të vendit.

Disa vatra në qarqet Korçë, Elbasan, Durrës, Fier, Kukës dhe Shkodër janë aktualisht nën mbikëqyrje.

Në zonën Drizë–Peshtan–Frakull të Fierit, situata raportohet nën mbikëqyrje.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

Lexo edhe:

Del jashtë kontrollin situata në Malin e Tërbunit, flakët vijojnë të përhapen me shpejtësi

Levani shkrumb e hi/ Baçi: Shikoni pamjet e zonës, pasi “heronjtë” e partisë me praninë “besnike” shuan zjarrin

Reklame