TIRANË – Aksidentet rrugore në Shqipëri kanë shënuar rritje gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2026, duke regjistruar 844 raste, nga 767 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, bëhet fjalë për një rritje prej rreth 10% të aksidenteve rrugore krahasuar me janar-korrikun 2025.
Edhe numri i personave të vrarë dhe të plagosur është rritur. Në shtatë muajt e parë të vitit 2026, në aksidente janë përfshirë 1,187 persona, ndërsa një vit më parë shifra ishte 1,077.
Vetëm në korrik u regjistruan 165 aksidente
Situata është përkeqësuar edhe gjatë muajit korrik. Sipas INSTAT, gjatë këtij muaji janë regjistruar 165 aksidente rrugore, nga 131 në korrik 2025.
Numri i personave të vrarë dhe të plagosur arriti në 235, krahasuar me 194 persona në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Të dhënat tregojnë se 90.3% e aksidenteve të regjistruara në korrik kanë ardhur si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve.
Grupmosha 25-34 vjeç përbën 21.8% të numrit total të aksidenteve.
Tirana kryeson me numrin e aksidenteve
Kryeqyteti vijon të ketë numrin më të lartë të aksidenteve. Në korrik, në Tiranë u regjistruan 59 aksidente, nga 37 në korrik të vitit 2025.
Në këto aksidente janë regjistruar gjithsej 74 persona të vrarë ose të plagosur.
Ndërsa në periudhën janar-korrik 2026, Tirana ka regjistruar 336 aksidente, kundrejt 219 rasteve në të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Mbrëmja, orari me më shumë aksidente
Sipas statistikave të INSTAT, pjesa më e madhe e aksidenteve rrugore gjatë korrikut është regjistruar në fashën orare 19:00-24:00, me 25.5% të totalit.
Sa i përket ditëve të javës, e enjtja rezulton me përqindjen më të lartë të aksidenteve, me 18.8%, ndërsa e marta ka nivelin më të ulët, me 12.1%.
Statistikat bazohen në të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të cilat përpunohen nga INSTAT. Shifrat për muajin e fundit janë paraprake dhe mund të rishikohen.
Rritja e aksidenteve vjen në një periudhë kur autoritetet kanë ndërmarrë masa për rritjen e sigurisë rrugore, përfshirë kontrollet e shtuara në terren dhe ndryshimet në Kodin Rrugor.
Përveç sjelljes së drejtuesve të mjeteve, një tjetër faktor i evidentuar në diskutimet për sigurinë rrugore mbetet gjendja e infrastrukturës dhe zonat e konsideruara si “pika të zeza” të aksidenteve.MONITOR
Aksident tragjik në Golem, motori përplaset me bordurën – humbin jetën dy persona















