Rreth 50 kursantë të Akademisë së Sigurisë dyshohet se janë prekur nga një tjetër rast helmimi ushqimor, vetëm pak javë pas incidentit të ngjashëm të regjistruar në muajin maj.
Sipas raportimeve mediatike, mbrëmjen e së mërkurës, rreth orës 21:00, dhjetëra kursantë kanë shfaqur simptoma si të vjella, diarre, temperaturë dhe dhimbje koke. Disa prej tyre janë transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Ngjarja ka rikthyer shqetësimet lidhur me kushtet e sigurisë ushqimore në ambientet e Akademisë së Sigurisë, pasi kjo është hera e dytë brenda një periudhe të shkurtër që raportohen raste të ngjashme.
Më 7 maj, 56 kursantë të Akademisë së Sigurisë u paraqitën me simptoma të helmimit pas konsumimit të ushqimit në mensën e institucionit. Pas atij rasti u kryen kontrolle dhe verifikime nga institucionet përgjegjëse.
Sipas raportimeve, kompania që siguronte shërbimin e ushqimit për studentët ishte “SORI-AL”, në pronësi të Nikolin Jakës dhe Alma Tafanit. Aktiviteti i kompanisë u pezullua pas rastit të parë, por më pas u lejua të rifillonte punën pasi analizat e kryera rezultuan brenda parametrave të lejuar për treguesit e higjienës.
Ndërkohë, rasti i ri pritet të sjellë një tjetër hetim për të përcaktuar shkakun e simptomave të shfaqura te kursantët dhe për të verifikuar nëse bëhet fjalë sërish për helmim ushqimor.
Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga Akademia e Sigurisë, Ministria e Brendshme apo institucionet shëndetësore lidhur me incidentin e raportuar.














