Byroja e Kuvendit ka vendosur të lërë në fuqi masën disiplinore ndaj deputetit dhe kreut të partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, duke konfirmuar përjashtimin e tij nga punimet e Kuvendit për 30 ditë.

Vendimi vjen pas kërkesës së deputetëve të Partisë Socialiste, të cilët pretendojnë se Shehaj ka ofenduar ministrin e Financave, Petrit Malaj, gjatë seancës së fundit plenare.

Reklame

Sipas socialistëve, deputeti i opozitës i është drejtuar ministrit me termin “maskara”, çka sipas tyre përbën shkelje të etikës parlamentare dhe të rregullores së Kuvendit.

Përplasja mes Shehajt dhe Malajt ndodhi gjatë debatit në sallën e Kuvendit, ku ministri i Financave përmendi aktivitetet private dhe kompanitë e deputetit.

“Tani do merremi ne me ty”, iu drejtua Malaj deputetit të opozitës, sipas debatit të zhvilluar në seancë.

Pas kësaj deklarate, Agron Shehaj reagoi nga foltorja e Kuvendit duke thënë: “Po nëse më kërcënon mua këtu në Kuvend, çfarë i bën një qytetari të thjeshtë që del në protestë ti, mor maskara?”.

Pas incidentit, Sekretariati i Etikës, me kërkesë të Taulant Ballës dhe një grupi deputetësh socialistë, vendosi masën e përjashtimit të Shehajt nga punimet parlamentare për 30 ditë.

Byroja e Kuvendit shqyrtoi ankimimin e deputetit, por vendosi të lërë në fuqi masën disiplinore.

Vendimi pritet të thellojë më tej tensionet mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa vetë Shehaj e ka konsideruar masën si një akt politik dhe një përpjekje për të kufizuar fjalën e opozitës në Kuvend.

Reklame