Policia e Shkodrës ka arrestuar një prej personave të dyshuar për dhunimin e drejtorit të AKU-së në Shkodër, Ramir Haderi, ngjarje e ndodhur në mbrëmjen e 21 majit në lagjen “Rus”.
Në pranga ka rënë Elis Çela, banues në lagjen “Kiras” të Shkodrës. Sipas hetimeve paraprake, ai dyshohet se ka transportuar me automjet personin që goditi me send të fortë drejtorin Haderi dhe më pas u largua nga vendngjarja.
Ndërkohë, uniformat blu kanë identifikuar edhe personin e dyshuar si autorin kryesor të sulmit. Ai është shpallur në kërkim dhe po vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Ngjarja ndodhi në orët e mbrëmjes së 21 majit, kur drejtori i AKU-së u sulmua në lagjen “Rus”, duke pësuar një plagë në vetull. Pas marrjes së ndihmës mjekësore në spital, ai u largua drejt banesës së tij.
Një ditë pas incidentit, Ramir Haderi reagoi publikisht, duke deklaruar se sulmi nuk do ta ndalte në ushtrimin e detyrës.
Hetuesit dyshojnë se dhunimi mund të ketë lidhje me detyrën e tij si drejtues i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Shkodër. Po ashtu, burime pranë hetimit dyshojnë se personat e përfshirë mund të kenë vepruar kundrejt pagesës, ndërsa porositësit e mundshëm të sulmit mbeten ende objekt hetimi.
Policia dhe Prokuroria po vijojnë veprimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe dokumentimin e motiveve të sulmit.















