Advertisement

Dy turistë gjermanë rezultojnë të humbur prej rreth 48 orësh në zonën e thellë malore të Polisit, në bashkinë e Librazhdit, duke vënë në lëvizje strukturat e Policisë dhe banorët e zonës për gjetjen e tyre.

Sipas informacioneve paraprake, turistët kishin ndërmarrë një itinerar ecjeje në thellësi të Malësisë së Polisit, por prej dy ditësh kanë humbur kontaktet me guidën që i shoqëronte gjatë eksplorimit.

Reklame

Menjëherë pas sinjalizimit, Policia e Elbasanit ka nisur një operacion kërkimi në terren për lokalizimin e tyre, ndërsa në ndihmë janë angazhuar edhe banorë të fshatrave të Njësisë Administrative Polis.

Burimet bëjnë me dije se zona ku dyshohet se ndodhen turistët është mjaft e vështirë për t’u aksesuar, me terren të thyer malor dhe mungesë të sinjalit të telefonisë celulare, çka po e vështirëson operacionin e kërkimit.

Deri në këto momente nuk është arritur të vendoset asnjë kontakt me turistët, ndërsa nuk ka sinjale as nga pajisjet GPS që dyshohet se mund të kenë pasur me vete.

Autoritetet vijojnë kërkimet intensive në disa sektorë të malësisë së Polisit, ndërsa orët e ardhshme konsiderohen vendimtare për gjetjen e dy turistëve dhe sqarimin e rrethanave që çuan në humbjen e kontakteve me ta.

Reklame