Në qytetin e Durrësit është finalizuar operacioni i koduar “Cleaning 5”, i zhvilluar pas dy procedimeve penale të ndjekura për disa muaj nga strukturat hetimore.
Operacioni është realizuar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me forcat Operacionale dhe “Shqiponja”, si dhe me stacionet policore në Manzë dhe Shijak, nën drejtimin e Prokurorisë së Durrësit.
Objektivi i hetimit ishte identifikimi dhe ndalimi i personave që dyshohet se shpërndanin lëndë narkotike në afërsi të shkollave dhe në ambiente të frekuentuara nga të rinjtë.
Si rezultat i operacionit janë ekzekutuar masa sigurie për 17 shtetas, konkretisht:
- 13 persona me masën “Arrest në burg”
- 4 shtetase me masën “Arrest në shtëpi”
- 1 shtetas është shpallur në kërkim
Të dyshuarit janë banues në Durrës, Kavajë, Shijak, si dhe në zonat Sukth, Manzë dhe Xhafzotaj. Ata akuzohen për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe në mënyrë të përsëritur.
Gjatë operacionit janë sekuestruar sasi të konsiderueshme heroine, kokaine dhe cannabis sativa, si dhe 3 armë zjarri (2 pistoleta dhe 1 automatik kallashnikov). Po ashtu janë sekuestruar shuma parash, automjete dhe telefona celularë, të dyshuar si të lidhur me aktivitetin kriminal.
Sipas hetimeve, grupi dyshohet se siguronte dhe shpërndante lëndë narkotike kryesisht pranë shkollave në Shijak dhe Manzë, si dhe në zona të tjera të frekuentuara nga të rinjtë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme hetimore.













