Nënkryetari i Partisë Demokratike dhe kryetari i Komisionit për Reformën Territoriale, Luciano Boçi, ka deklaruar nga Durrësi se reforma territoriale e vitit 2014 ka dështuar dhe se nevojitet një rishikim i thellë i modelit aktual të qeverisjes vendore.
Sipas Boçit, territori nuk duhet parë thjesht si ndarje administrative apo tokë, por si identitet, përfaqësim dhe burim pushteti për komunitetet lokale.
Ai kritikoi mungesën e dëgjesave publike reale në proceset vendimmarrëse, duke theksuar se qytetarët janë përjashtuar nga vendimet për projekte të rëndësishme në nivel lokal. Sipas tij, kjo situatë ka sjellë konflikte dhe vendimmarrje të njëanshme në disa çështje që lidhen me zhvillimin e Durrësit.
“Po të kishte dëgjesa publike reale, Porti i Durrësit do të kishte një pamje tjetër, projekti TID do të ishte ndryshe dhe nuk do të kishim konfliktin për Velierën”, deklaroi Boçi.
Ai shtoi se reforma territoriale e vitit 2014 nuk arriti objektivat e premtuara, por përkundrazi thelloi diferencat mes zonave urbane dhe rurale, si edhe mes bashkive me burime të ndryshme financiare.
Duke marrë si shembull qarkun e Durrësit, Boçi përmendi zonat e Sukthit dhe Manzës, të cilat sipas tij përballen ende me mungesë infrastrukture dhe shërbimesh bazë.
Në vijim, ai bëri dallimin mes dy qasjeve për reformën territoriale, duke thënë se mazhoranca synon reduktim të mëtejshëm të numrit të bashkive, ndërsa Partia Demokratike mbështet një model më të decentralizuar, me kompetenca dhe autonomi më të madhe për pushtetin vendor.
Boçi theksoi se PD nuk kërkon rikthim te modeli i mëparshëm me 372 njësi vendore, por as ruajtje mekanike të 61 bashkive aktuale, duke propozuar një “optimizim funksional” të sistemit mbi baza reale dhe jo politike.
Ai përmendi gjithashtu modele europiane të decentralizimit, si Suedia dhe Gjermania, si shembuj të funksionimit efektiv të pushtetit vendor me kompetenca dhe financa të forta.
Në përfundim, Boçi u shpreh se reforma territoriale nuk është vetëm një kërkesë e Bashkimit Europian, por një nevojë që buron nga qytetarët shqiptarë për më shumë përfaqësim dhe shërbime më afër komuniteteve.
“Qytetarët kërkojnë më shumë përfaqësim, më shumë shërbime dhe një pushtet vendor më pranë tyre”, deklaroi ai.














