Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, inspektoi investimin e përfunduar në ujësjellësin e Elbasanit, një projekt që garanton furnizim me ujë të pijshëm pa ndërprerje për afro 60% të qytetit.

Gjatë inspektimit, ministri shoqërohej nga drejtoresha e AKUK, Elidiana Çelaj. Projekti është pjesë e programit “Infrastruktura Bashkiake V” dhe përfshin rehabilitimin e dy depove ekzistuese, ndërtimin e një depoje të re, shtrimin e linjave të reja të ujësjellësit, instalimin e matësave dhe realizimin e lidhjeve të reja familjare.

Reklame

Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, përmes sistemit modern SCADA tashmë mundësohet monitorimi në distancë i rrjetit të ujësjellësit dhe stacioneve të pompimit, duke rritur eficiencën dhe kontrollin mbi furnizimin me ujë.

Ministri Karakaçi deklaroi se investimi ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në përmirësimin e performancës financiare të ujësjellësit të Elbasanit.“Ne kemi tashmë në nivel arkëtimi mbi 100%, jemi në nivelin rreth 105%, pra jo vetëm që mbledhim detyrimet aktuale të ujësjellësit, por mbledhim edhe debinë e viteve të shkuara”, u shpreh ai.

Sipas tij, një tjetër tregues pozitiv është fakti që ujësjellësi i Elbasanit tashmë paguan 100% të faturave të energjisë elektrike, të cilat në vitet e mëparshme konsideroheshin problematike.

Karakaçi bëri të ditur gjithashtu se në buxhetin e vitit 2026 janë parashikuar investime të reja për ujësjellësin e Elbasanit, me fokus te eficienca energjetike dhe ulja e konsumit të energjisë në stacionet e pompimit.“Ne vijojmë përsëri dhe në buxhetin e vitit 2026 të AKUK të kemi edhe investime të tjera në Bashkinë e Elbasanit, siç është ai për eficiencën e energjisë në mënyrë që të ulim konsumin e energjisë”, theksoi ministri.

Reklame