Bordi i Transparencës ka vendosur sot, më 30 prill 2026, çmimet e reja tavan për shitjen me pakicë dhe shumicë të karburanteve në vend.

Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e radhës, çmimi i gazoilit të standardit SSH EN 590 nuk duhet të kalojë 208 lekë për litër në shitje me pakicë, ndërsa në shumicë është caktuar në 196 lekë për litër.

Reklame

Ndërkohë, benzina është vendosur të shitet me një çmim maksimal prej 185 lekë për litër në pakicë dhe 173 lekë për litër në shumicë.

Hyrja në fuqi e çmimeve

Çmimet e reja kanë hyrë në fuqi sot në orën 13:00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës, ku priten ndryshime të reja në varësi të tregut ndërkombëtar të naftës.

Bordi ka theksuar se të gjithë operatorët e tregut janë të detyruar të respektojnë vendimin, ndërsa çdo shkelje do të shoqërohet me masa administrative, përfshirë pezullimin e aktivitetit.

Paralajmërimi për tregun

Institucionet përkatëse, përfshirë Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë angazhuar për të mbrojtur konsumatorët dhe për të garantuar konkurrencë të ndershme në tregun e karburanteve.

Sqarimi për akcizën

Sipas Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, në rast se çmimi i shitjes me pakicë i gazoilit kalon 220 lekë për litër ose benzina 200 lekë për litër, aplikohet niveli i reduktuar i akcizës në masën 80%.

Por me çmimet aktuale të vendosura, të dyja nënproduktet mbeten nën këto kufij, duke bërë që akciza të vazhdojë të aplikohet në nivelin e plotë, 100%.

Reklame