Kryeministri Edi Rama ka folur në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste për rastin e Belinda Balluku, pasi Gjykata Kushtetuese nuk arriti shumicën për të rrëzuar pezullimin nga detyra, duke lënë në fuqi vendimin ekzistues.

Rama e cilësoi situatën si pasojë e një interpretimi të gabuar dhe jo si mungesë të dispozitave ligjore.

Reklame

Kreu i qeverisë deklaroi se problemi nuk qëndron te mungesa e normës, por te mënyra se si është trajtuar çështja në raport me frymën e Kushtetutës dhe modelin demokratik të ndarjes së pushteteve.

“Mendoj që boshllëku është në trutë e atyre që s’i dhanë drejtim, bazuar në frymën e Kushtetutës dhe në modelin demokratik të ndarjes së pushteteve”, u shpreh Rama.

Sipas tij, jo çdo situatë duhet të jetë e detajuar në germën e ligjit, nëse orientimet janë të qarta në frymën kushtetuese.

Rama argumentoi se masa e pezullimit e dhënë nga GJKKO në fazë paraprake, pa nisur gjykimi, nuk prek vetëm individin në hetim, por vetë funksionin institucional.

Sipas tij, kur pezullohet një ministër, nuk bëhet fjalë vetëm për mungesën fizike të një personi në zyrë, por për paralizimin e një institucioni të tërë.

“Ajo ministri nuk ka kapacitet të propozojë asgjë në Këshillin e Ministrave, sepse nuk përfaqësohet nga personi i ngarkuar si shprehje e vullnetit kushtetues”, theksoi kryeministri.

Deklaratat e Ramës vijnë në kuadër të nismës për ndryshimin e nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, ku mazhoranca synon të zgjerojë rrethin e funksionarëve kushtetues që nuk mund të pezullohen nga detyra me vendim gjykate.

Sipas qeverisë, qëllimi është garantimi i funksionimit të pandërprerë të institucioneve kushtetuese dhe vendosja e një balance mes pushtetit gjyqësor dhe atij ekzekutiv.

Çështja pritet të mbetet në qendër të debatit politik dhe juridik në ditët në vijim.

Reklame