Një alarm serioz është ngritur për sigurinë në Spitalin e Lushnjës. Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka denoncuar publikisht atë që e cilëson si një skandal me përmasa dramatike në repartin e gazrave mjekësore, ku sipas tij rrezikohet jeta e pacientëve dhe personelit.
Korreshi publikon shkresa zyrtare të specialistëve të repartit të oksigjenit, të cilët që në dhjetor 2024 kanë paralajmëruar drejtuesit për mungesë të theksuar sigurie teknike.
Në një nga dokumentet, theksohet se:“Nuk ekzistojnë rregullat e sigurimit teknik dhe rrezikshmëria është në kufijtë maksimalë, ku në çdo kohë jemi përballë një katastrofe me pasoja të paparashikuara.”
Sipas relacioneve, janë regjistruar edhe shpërthime bombulash, me flakë zjarri që kanë shkrirë rregullatorët dhe kanë rrezikuar jetën e punonjësve.
Në një tjetër shkresë të datës 16 dhjetor 2024, specialistët raportojnë për një shpërthim të ndodhur më 14 dhjetor, i cili ka dëmtuar rrjetin shpërndarës të gazrave dhe ka vënë në rrezik jetën e një punonjësi.
Sipas tyre, bombulat ruhen jashtë kushteve të sigurisë teknike, ndërsa magazina për depozitimin e tyre rezulton e mbyllur dhe pa akses të rregullt. Po ashtu, kërkohet blerja e fikseve të zjarrit dhe planifikimi i fondeve për ndërhyrje urgjente.
Deputeti Korreshi akuzon drejtuesit aktualë të spitalit se kanë rikthyer në detyrë si përgjegjës të repartit të oksigjenit një person që më parë ishte penalizuar dhe shkarkuar pas incidenteve.
Sipas tij, kjo lëvizje administrative është bërë pavarësisht paralajmërimeve për rrezik dhe masës disiplinore të dhënë nga drejtuesi i mëparshëm i institucionit.
Korreshi e cilëson situatën si një “bombë me sahat”, duke paralajmëruar se me presionin e lartë të bombulave të oksigjenit mund të rrezikohet seriozisht infrastruktura e spitalit.
Ai i ka bërë thirrje ministres së Shëndetësisë dhe organeve ligjzbatuese që të nisin menjëherë hetim të plotë administrativ dhe penal mbi çështjen.“Ky skandal nuk mund të fshihet. Duhet hetim dhe përgjegjësi përpara se të ndodhë tragjedia,” shprehet deputeti.














