Çdo 21 maj, UNESCO shënon Ditën Botërore për Diversitetin Kulturor për Dialogun dhe Zhvillimin, duke vënë në fokus jo vetëm pasurinë kulturore të popujve, por edhe rëndësinë jetike të dialogut ndërkulturor për paqen dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
UNESCO apelon për forcimin e dialogut ndërkulturor, në një kohë kur sipas të dhënave të organizatës, 89% e konflikteve aktuale ndodhin në vende ku niveli i dialogut kulturor mbetet i ulët.
Sipas organizatës, tre të katërtat e konflikteve të mëdha në botë kanë prapavijë kulturore, ndaj ndërtimi i urave mes kulturave konsiderohet urgjent për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe bashkëjetesës.
UNESCO thekson gjithashtu rëndësinë ekonomike të sektorit kulturor dhe krijues në nivel global. Ky sektor përfaqëson mbi 48 milionë vende pune në mbarë botën dhe kontribuon me rreth 3.1% në Prodhimin e Brendshëm Bruto global.
Gjysma e vendeve të punës në këtë sektor mbahen nga gratë, ndërsa kultura dhe industritë krijuese mbeten një nga fushat që ofrojnë më shumë mundësi punësimi për të rinjtë nën moshën 30-vjeçare.
Megjithatë, sipas UNESCO-s, sektori kulturor dhe krijues ende nuk zë vendin që meriton në politikat publike dhe në bashkëpunimin ndërkombëtar, pavarësisht ndikimit të tij të madh në zhvillimin ekonomik dhe social.














