25 vite pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, Shtetet e Bashkuara vijojnë të përballen me pyetjet mbi sinjalet që u humbën, dështimet e inteligjencës dhe mundësitë që mund të kishin parandaluar sulmin.
Nga përgatitja e Al Qaeda-s te reagimi amerikan, 11 Shtatori ndryshoi mënyrën se si bota e shihte sigurinë dhe luftën kundër terrorizmit.
Sulmet e 11 shtatorit 2001 mbeten një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë moderne amerikane. Katër avionë u rrëmbyen nga 19 terroristë të Al Qaeda-s.
Dy prej tyre u përplasën me Kullat Binjake në Nju Jork, një tjetër goditi Pentagonin, ndërsa avioni i katërt u rrëzua në Pensilvani pasi pasagjerët tentuan të rimerrnin kontrollin e tij.
Plani për të goditur Shtetet e Bashkuara nuk ishte krijuar brenda pak ditësh. Kullat Binjake kishin qenë në shënjestër të Al Qaeda-s prej vitesh.
Një përpjekje e parë për të goditur World Trade Center ndodhi në vitin 1993, kur një bombë shpërtheu në parkingun nëntokësor të kompleksit, duke shkaktuar gjashtë viktima.
Pas këtij sulmi, Khalid Sheikh Mohammed, një nga organizatorët kryesorë të operacionit të 11 shtatorit, vijoi me një plan shumë më të madh.
Ideja ishte përdorimi i avionëve të pasagjerëve si armë. Plani u zhvillua për vite dhe më pas iu paraqit Osama bin Ladenit.
Pjesë e rëndësishme e përgatitjes ishte trajnimi i personave që do të merrnin kontrollin e avionëve.
Mohamed Atta, Marwan al-Shehhi dhe Ziad Jarrah, së bashku me Hani Hanjour, morën trajnime për fluturim në SHBA. Në total, 19 terroristë morën pjesë në operacion.
Në orën 08:46 të 11 shtatorit, American Airlines 11 u përplas me Kullën Veriore të World Trade Center.
Në orën 09:03, United Airlines 175 goditi Kullën Jugore. Kulla Jugore u shemb në 09:59, ndërsa Kulla Veriore në 10:28.
Sulmet shkaktuan mijëra viktima dhe ndryshuan rrënjësisht politikën amerikane të sigurisë.
Por, krahas mënyrës se si u organizua sulmi, një nga çështjet kryesore që vazhdon të diskutohet është ajo që ndodhi përpara 11 shtatorit.
Hetimet pas sulmeve nxorën në pah probleme në shkëmbimin e informacionit mes institucioneve amerikane të inteligjencës.
Sinjale të ndryshme ekzistonin, por ato nuk u lidhën në kohë për të parandaluar komplotin. Këto dështime u kthyen në një nga mësimet kryesore të nxjerra nga 11 Shtatori.
Një tjetër çështje ishte reagimi që Al Qaeda priste nga SHBA.
Strategjia e Osama bin Ladenit synonte ta përfshinte Amerikën në një konflikt të gjatë dhe të kushtueshëm.
Luftërat që pasuan në Afganistan dhe më vonë në Irak u bënë pjesë e një periudhe të re të politikës amerikane dhe ndërkombëtare.
Edhe 25 vite më pas, puna për pasojat e sulmit nuk ka përfunduar plotësisht. Autoritetet amerikane vijojnë përpjekjet për identifikimin e mbetjeve të viktimave të World Trade Center përmes teknologjive të reja të analizës së ADN-së.
Lexo edhe:
Trump kritikon Spanjën për emigrantët: Ka zero kontroll mbi kufirin
Trump: Lufta me Iranin do të përfundojë pas zgjedhjeve në SHBA














