Ksamil – Pas vrasjes së 21-vjeçarit portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil, Policia ka shoqëruar 42 persona në kuadër të hetimeve për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Mes personave të shoqëruar mësohet se janë punonjës të kompleksit luksoz “Principotes”, si dhe klientë që ndodheshin në ambientet e tij në momentin e ngjarjes.
Viktima humbi jetën në orët e para të mëngjesit të 18 gushtit, pasi dyshohet se u godit me mjet prerës gjatë një konflikti.
Për ngjarjen është arrestuar Sokrat Vata, 29 vjeç, i dyshuar si autori i vrasjes dhe truproja i kompleksit “Principotes”. Ai u kap rreth pesë orë pas krimit në aksin Levan-Fier, ndërsa dyshohet se ishte fshehur në bagazhin e një automjeti.
Shoqërimi i 42 personave po kryhet për verifikimin e dëshmive dhe rrethanave që paraprinë dhe shoqëruan konfliktin. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon mbledhjen e provave dhe marrjen në pyetje të personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen.
Hetimet pritet të përcaktojnë dinamikën e plotë të konfliktit, motivin e vrasjes dhe nëse ka persona të tjerë që mund të kenë pasur rol në ngjarje.
Lexo edhe:
Balla reagon pas vrasjes së turistit në Ksamil: “Nuk është në traditën e shqiptarit”














