Advertisement

Ka përfunduar seanca në Gjykata e Lezhës, ku mbrojtja paraqiti konkluzionet për shtetasin portugez Ruben Saraiva, i akuzuar për vrasjen e biznesmenit Ardjan Nikulaj në Shëngjin në prill të vitit 2023.

Avokati Kujtim Çakrani deklaroi para gjykatës se nuk ekziston asnjë provë që implikon klientin e tij në këtë ngjarje, duke theksuar se Saraiva është diskriminuar gjatë gjithë periudhës së qëndrimit në burg nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Reklame

Sipas Çakranit, Saraiva ka deklaruar në sallën e gjyqit se mbahet padrejtësisht në burg, ndërsa sipas tij policia dhe prokuroria janë në dijeni se kush janë autorët e vërtetë të krimit.

Seanca e radhës është caktuar më 25 mars, datë kur pritet edhe shpallja e vendimit. Më herët, Prokuroria e Lezhës ka dhënë pretencën duke kërkuar burgim të përjetshëm për shtetasin portugez.

Ngjarja

Vrasja e biznesmenit Ardjan Nikulaj ndodhi më 19 prill 2023 në qytetin e Shëngjinit, brenda lokalit të tij.

Sipas hetimeve, rreth orës 13:30, autori hyri në ambientet e lokalit dhe pasi iu afrua tavolinës ku ndodhej Nikulaj, qëlloi disa herë me armë zjarri duke e lënë të vdekur në vend.

Pas hetimeve, autoritetet identifikuan Ruben Saraivën si ekzekutor të dyshuar të atentatit.

Dyshohet se krimi lidhet me konflikte të hershme mes familjes Nikulaj dhe një familjeje tjetër në zonë, ndërsa sipas hetimeve, autori i dyshuar është përdorur si një person i jashtëm për të kryer atentatin.

Reklame