Pamjet që vijnë nga tregu i rrobave të përdorura në zonën e “5 Majit” në Tiranë tregojnë gjithçka që ka mbetur pas zjarrit shkatërrues të një nate më parë. Magazina të shkrumbuara, mallra të djegura dhe struktura të rrënuara janë pasojat e flakëve që në pak sekonda shkatërruan punën e shumë viteve.
Dëmet janë të konsiderueshme, ndërsa reagimet e qytetarëve dhe tregtarëve të prekur kanë qenë të ashpra. Shumë prej tyre shprehen se brenda pak çastesh humbën gjithçka, pa pasur asnjë mundësi për të shpëtuar mallrat apo pajisjet.
Deri më tani nuk është bërë një bilanc zyrtar mbi dëmet e shkaktuara, ndërsa mbetet ende e paqartë se sa është vlera e humbjeve dhe çfarë e shkaktoi zjarrin. Autoritetet pritet të vijojnë verifikimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.














