Advertisement

Deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla deklaroi në Kuvend se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian ka hyrë në një fazë intensive dhe vendimtare, pas adresimit të 92 problematikave kryesore të identifikuara në grupkapitujt themelorë të negociatave.

Sipas Ballës, dosja shqiptare po kalon nga grupet teknike të punës drejt Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Bashkimit Europian, një hap që i hap rrugë mbajtjes së Konferencës Ndërqeveritare javën e ardhshme.

Reklame

“Shqipëria model për reformën në drejtësi”

Gjatë fjalës së tij, Balla theksoi se reforma në drejtësi, procesi i vettingut dhe rezultatet në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar po marrin vlerësime pozitive nga partnerët europianë, veçanërisht nga Gjermania.

“Shqipëria me reformën në drejtësi dhe vettingun është një model për vendet e tjera aspirante”, deklaroi ai, duke iu referuar vlerësimeve që sipas tij kanë ardhur nga Berlini.

Deputeti socialist sqaroi se në grupkapitullin e “themeloreve”, ku përfshihen kapitujt 23 dhe 24, janë identifikuar mbi 92 problematika që kërkonin adresim institucional.

Italia dhe Austria kërkojnë përshpejtim të zgjerimit

Balla konfirmoi gjithashtu se Italia dhe Austria kanë dalë me një propozim për përshpejtimin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke veçuar Shqipërinë dhe Malin e Zi si vende pararendëse.

Sipas tij, kjo qasje po mbështetet edhe nga kancelari gjerman, i cili ka shprehur angazhim për vijimin e procesit të zgjerimit me Ballkanin Perëndimor dhe Moldavinë.

“Anëtarësimi me faza nuk na dëmton”

Në deklaratën e tij, Balla komentoi edhe idenë e “anëtarësimit me faza”, duke theksuar se kjo formulë nuk e pengon Shqipërinë, por synon të garantojë një integrim gradual dhe të qëndrueshëm.

Ai tha se objektivi i Shqipërisë mbetet mbyllja e negociatave deri në fund të vitit 2027, në përputhje me programin e dakordësuar me Komisioni Europian.

Sipas Ballës, pas përfundimit të negociatave, procesi kalon në fazën e ratifikimit nga parlamentet e vendeve anëtare të BE-së, ku në disa shtete mund të kërkohen edhe referendume popullore.

“Shqipëria duhet të jetë e gëzuar”

Në fund të fjalës së tij, deputeti socialist tha se Shqipëria ndodhet në një moment pozitiv historik për integrimin europian dhe kërkoi konsensus politik për procesin.

“Shqipëria jonë e përbashkët ka arsye të jetë e gëzuar”, deklaroi Balla, duke theksuar se çdo kontribut politik në funksion të anëtarësimit në BE është një shërbim për vendin.

Reklame