Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas sulmit iranian që shënjestroi Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Riad, duke e dënuar ashpër aktin dhe duke e cilësuar atë si të papranueshëm.
Në deklaratën zyrtare, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme thekson se akte të tilla përbëjnë një shkelje të qartë të së drejtës ndërkombëtare dhe të parimeve themelore që garantojnë mbrojtjen e misioneve diplomatike dhe personelit të tyre në mbarë botën.
Sipas reagimit, sulme të tilla jo vetëm që vënë në rrezik jetën e personelit diplomatik, por edhe rrisin tensionet në një rajon tashmë të brishtë, duke shtuar rrezikun e përshkallëzimit të pakontrolluar.
Shqipëria ka shprehur solidaritet të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke rikonfirmuar mbështetjen e saj të palëkundur për sigurinë e aleatëve dhe mbrojtjen e personelit diplomatik.
“Siguria e partnerëve tanë dhe ruajtja e stabilitetit rajonal janë të panegociueshme”, theksohet në deklaratë.
Reagimi vjen në një moment tensioni të lartë në Lindjen e Mesme, ndërsa komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje për përmbajtje dhe respektim të normave ndërkombëtare që mbrojnë përfaqësitë diplomatike.














