Hetimet e SPAK për dosjen e AKSHI-t po shndërrohen në një nga çështjet më enigmatike dhe potencialisht më tronditëse të viteve të fundit. Burime pranë organit të akuzës flasin për një rrjet të thellë abuzimesh, vjedhjesh dhe manipulimi tenderash, ku fijet nuk janë lëvizur vetëm nga zyrtarë me poste shtetërore, por edhe nga aktorë jashtë institucioneve, të cilët dyshohet se kanë ushtruar ndikim real mbi paratë publike.

Në qendër të kësaj skeme del emri i Ergys Agasit, një figurë e përfolur gjerësisht në korridoret e pushtetit, i njohur nga burime hetimore si “kryeministri në hije”. Hapja dhe analizimi i telefonave të tij nga SPAK cilësohet pa hezitim si “kutia e Pandorës” e kësaj dosjeje.

Reklame

Telefonat që flasin

Sipas burimeve hetimore, nga komunikimet e zbuluara në pajisjet e Agasit kanë dalë në pah dyshime serioze për trafik ndikimi, kontrabandë, pastrim parash dhe grabitje sistematike të tenderave shtetërore, pa hasur pengesa reale institucionale. Hetimet tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e vendimmarrjeve dhe drejtimit të operacioneve ka qenë nën komandën e tij, ndërsa zbatimi në terren realizohej përmes personave të tjerë.

“Ushtarët” e skemës

SPAK dyshon se Agasi nuk ka vepruar i vetëm. Ai dyshohet se ka pasur një rreth bashkëpunëtorësh, të cilët kanë marrë urdhra dhe kanë vepruar për llogari të tij, me synim përfitimin financiar nga fondet publike. Nga analizimi i komunikimeve, del në pah edhe emri i biznesmenit Orest Sota, i cili sipas burimeve pranë prokurorisë, po hetohet aktualisht nga SPAK.

Pista e pastrimit të parave dhe sporti

Një nga pistat më delikate të hetimit lidhet me dyshimet për pastrim parash, ku sipas burimeve, Ergys Agasi dyshohet se ka përdorur Orest Sotën si hallkë ndërmjetëse, përmes investimeve në klubin e futbollit FC Dinamo City. Pikërisht këto fonde – origjina e të cilave “lë shumë për të dëshiruar” – kanë ngritur alarmin te hetuesit dhe kanë shtyrë SPAK të kalojë në fazë hetimesh konkrete.

Heshtje zyrtare, tension maksimal

Deri më tani, SPAK nuk ka dhënë një qëndrim publik të detajuar mbi këto pista, por burimet konfirmojnë se hetimi është aktiv, i zgjeruar dhe në një fazë të ndjeshme. Çdo e dhënë e re nga “kutia e Pandorës” rrezikon të zbulojë një mekanizëm paralel pushteti, ku tenderat, paratë dhe ndikimi kanë qarkulluar larg syrit të ligjit.

Nëse këto dyshime provohen, dosja e AKSHI-t mund të shndërrohet në një bombë politike dhe penale, me pasoja që shkojnë shumë përtej një rasti të izoluar korrupsioni. Hetimet vazhdojnë.

Reklame